Lansohet pulla postare ”Stop dhunës ndaj gruas“

Prishtinë, 25 Nëntor 2010

Filatelia e Postës së Kosovës, PTK Sh.a. lëshoi të enjten në qarkullim postar emisionin e pullës postare me temë "Stop Dhunën Ndaj Gruas".

Përmes këtij emisioni, PTK sh.a., jep kontributin e vet në parandalimin e dhunës ndaj gruas dhe krijimin e një shoqërie të shëndoshë civile.

Lansimi i pullës mblodhi një numër të madh përfaqësuesish të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të huaj në Kosovë dhe zyrtarë të PTK Sh.a.

“Pulla postare si njëri nga ambasadorët e Republikës së Kosovës, nëpërmes rrugëtimit të saj me letër dërgesa nëpër botë, më së miri përcjell mesazhin se kush jemi dhe ku dëshirojmë të shkojmë. Pulla postare” Stop dhunës ndaj gruas“ është shembull konkret se cilën rrugë e zgjodhi shoqëria kosovare”, është shprehur u.d. i drejtorit të Postës së Kosovës, z. Blerim Krasniqi në fjalën e tij.

Ministria e Transportit dhe Post Telekomunikacionit, e përkrahi këtë iniciativë dhe e vlerësojë si të domosdoshëm angazhimin në zgjidhjen e këtij problemi të shoqërisë.

“Shoqëria kosovare dhe institucionet duhet të angazhohen bashkërisht që të ballafaqohemi me sfidat e kapërcimit të problemeve gjinore. Duhet të përpiqemi bashkërisht që të gjitha viktimave të dhunës t’ju ofrojmë rrethana sa më të favorshme për riintegrimin e tyre në shoqëri”, deklaroi Emin Krasniqi, zv Ministër i MTPT-së.

Në anën tjetër, sipas drejtorit të Qendrës Transite të Postës së Kosovës, z. Burim Geci edhe pse Republika e Kosovës është një shtet i ri, kemi vënë baza të shëndosha dhe ecim drejt standardeve me të larta në fushën e respektimit  të drejtave të njeriut.

“Sot  përmes këtij emisioni, Filatelia e Postës së Kosovës, PTK sh.a. jep kontributin e vet në parandalimin e dhunës ndaj gruas, të çdo lloj dhune, qoftë ajo fizike apo psikike. Është ky edhe një kontribut i PTK sh. a., shoqërisë kosovare e cila bënë përpjekje, që të gjithë pjesëtarët e saj të kenë qasje të barabartë në një shoqëri pa dhunë, pa diskriminim dhe me mundësi të barabarta për të gjithë” ka thënë z. Geci në fjalën e tij.

Republika e Kosovës edhe pse është një shtet i ri ka standarde të larta në fushën e respektimit të drejtave të njeriut. Barazia gjinore sjellë stabilitet në shoqëri, prandaj nuk duhet të ketë asnjë lloj diskriminimi të grave, dhuna kundër gruas është një shfaqje e pozicioneve themelore të pabarabarta midis burrave dhe grave.

Kjo pullë postare është pjesë e fushatës për sensibilizim si të femrave ashtu edhe meshkujve, se e drejta e jetës, e drejta për të mos rrahur, torturuar janë të drejta themelore njerëzore pa dallim: gjinie, race, feje apo kombësie .

Shoqëria Kosovare bënë përpjekje që të gjithë pjesëtarët e saj të kenë qasje të barabartë në shoqëri pa dhunë, pa diskriminim dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.