Posta nderon gjeneral Xheladin Gashin

Prishtinë, 21 mars 2017 -
Posta e Kosovës ka përuruar  të martën pullën postare kushtuar  Heroit të Kombit  Xheladin Gashi, i cili ishte një nga themeluesit e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
 
Kjo pullë u lëshua sot në qarkullim, në 12 -vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Gjenerali i UÇK-së, i njohur edhe si Komandat Plaku, tërë jetën kontribuoi për çlirimin e Kosovës.
 
Në promovim kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë të tij.
 
Përmes imazheve të pullave postare, Filatelia e  Postës ka për qëllim të promovojë edhe  vlerat kombëtare e historike të Republikës së Kosovës.  Të kujtojë veprën dhe sakrificën e atyre që kontribuuan më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha tha se gjeneral Xheladin Gashi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin, zgjerimin dhe udhëheqjen e strukturave të UÇK-së, në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë.
 
“Ai ishte edhe njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari. Komandat Plaku gëzonte autoritet dhe respekt të madh”, ka thënë ai.
 
Kryeshefi bëri të ditur se idenë për emetimi e kësaj pulle postare e ka dhënë bashkëveprimtari i tij, deputeti Bislim Zogaj.
 
Për jetën dhe veprën e gjeneral Gashit kanë folur edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe deputeti Nait Hasani, që të dy bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar të komandant Plakut.
 
Kryeparlamentari Veseli tha se Xheladin Gashi  është shpallur Hero i Kosovës me plot të drejtë sepse ai vërtetë është Hero i Kosovës.
 
Ndërkaq, deputeti Hasani theksoi se Komandant Plaku ishte mësues për brezat e rinj, inspirim për guximin dhe moralin e luftëtarëve të lirisë.
 
Arsim Gashi, djali i Heroit, ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar Postën për emetimin e pullës postare. Në shenjë respekti, kryeshefi Hoxha i ka dhuruar familjes Gashi pullën postare të punuar në pllakë bronzi.
 
Në promovim është shfaqur një video me imazhe nga veprimtaria atdhetare e heroit Xheladin Gashi.