Pagëzimorja e Ulpianës në pullë postare

Prishtinë, 18 prill 2017 –
Filatelia  e Postës së Kosovës ka emetuar të martën pullën postare me pamje të Pagëzimores së Ulpianës.

Pagëzimorja e krishterizmit të hershëm u zbulua në Ulpianën antike në vitin 2012 dhe si e tillë paraqet një gjetje të veçantë në Kosovë e rajon. Përbëhet nga pishina pagëzimore dhe tetë nisha, që krijojnë trajtën oktagonale të kryqit. Gjerësia më e madhe e saj ka 13m.
 
Bazuar në gjurmët e gjetura përball hyrjes perëndimore të Pagëzimores, dyshemeja e brendisë  vlerësohet se ka qenë e shtruar me gëlqere. Pranë Pagëzimores, rreth 5 metra në veri, është ngritur bazilika e madhe e qytetit (20 x 40m), e dyta e zbuluar në Ulpianë.
 
Bazilika është hijeshuar me mozaikë dyshemeje dhe në të janë zbuluar 22 mbishkrime të donatorëve. Në të janë konstatuar dy faza të ndërtimit: faza e parë i takon mesit të shek. IV, që supozohet që është shkatërruar nga tërmeti, dhe faza e dytë që i përket shek. VI.