Posta promovoi pullën postare Kërcimet nga Ura e Fshejtë

Prishtinë, 24 korrik 2017 –
Në garën Kërcimet nga Ura u Fshejtë që është mbajtur të dielën, Posta e Kosovës ka promovuar pullën më të re postare që i dedikohet këtij sporti të veçantë.

“Shfaqjet atraktive nga ky vend i bukur janë pasqyruar shumë herë në mediat më të mëdha botërore. Por nga sot, imazhet mahnitëse të kërcimit nga Ura e Fshejtë, do të udhëtojnë në gjithë globin edhe përmes Pullës Postare”, ka deklaruar kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha në ceremoninë e hapjes së garave.

Ai u ka dhuruar nga një pullë postare garuesve, ndërkaq familjes së kampionit Sali Riza Gërqina, i cili humbi jetën para disa javësh në vendin ku bëri historinë si kërcyes i jashtëzakonshëm,  i ka dhuruar pullën postare në kornizë.

“Me garën tradicionale të Kërcimeve nga Ura e Fshejtë mburremi të gjithë. I përgëzoj të gjithë sportistët e guximshëm që vazhdojnë të ruajnë dhe zhvillojnë këtë sport të veçantë”, ka thënë Hoxha.

Në promovim kanë marrë pjesë edhe anëtarë të menaxhmentit qendror, drejtori i shitjes Bashkim Mustafa, menaxheri regjional i Gjakovës, Arben Rogova dhe zyrtarë të tjerë.

Filatelia e Postës do të vazhdoj edhe në të ardhmen promovimin e vlerave të Republikës së Kosovës.

Autor i pullës postare është dizajneri Dardan Luta.