Qeveria duhet ta mbështes Postën

Prishtinë, 4 dhjetor 2017-

 

Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka vizituar të hënën ndërmarrjen publike Posta e Kosovës. Ai fillimisht është njoftuar nga afër me shërbimet postare dhe komerciale që ofrohen në Zyrën Postare Nr. 10, në lagjen “Dardania”.

Pastaj ka mbajtur një takim me Menaxhmentin dhe Bordin e Drejtorëve të Postës së Kosovës.

Ministri Lluka ka deklaruar se institucionet qeveritare të Kosovës duhet ta mbështetësin Postën duke iu dhënë mundësi për kryerjen e shërbimeve të ndryshme si dhe duke i hapur dyert për vendosjen e sporteleve të Postës në objekte qeveritare.

Me këtë mbështetje ai pret që Posta të arrijë qëndrueshmëri afatgjatë financiare.

Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha e ka njoftuar ministrin Lluka me gjendjen e përgjithshme në Postë, me të arriturat dhe sfidat, si dhe me planet për të ardhmen.

“Kemi lansuar shërbime të ndryshme deri më tani por ka ende mjaft shërbime në institucione shtetërorë të cilat duhet të kalojnë në Postën e Kosovës. Para dy muajsh kemi filluar shpërndarjen e asistencës sociale dhe për kualitetin e treguar kemi marrë falënderime nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë kryeshefi Hoxha.

Kjo është vizita e parë e ministrit Lluka në Postë që nga emërimi i tij në krye të MZHE-së.