Pullat postare “Evropa 2018 - Urat”

Prishtinë, 08maj 2018 -

Për nderë të Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës të mërkurën lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa2018 - Urat”.

 

Urat e punuara me blloqe guri me harqe, që shfaqen në këto pulla postare, janë ndërtime arkitekturore të Kosovës që i përkasin shek. XVI-XX.

 

Në pullën me vlerë nominale 2 euro është paraqitur Ura në Grykën e Rugovës e ndërtuar gjatë Mesjetës, mbi Lumbardh që kalon në kanionin e bjeshkëve piktoreske të Pejës.

 

Ndërkaq, pulla me vlerë nominale 1 euro bartë imazhin e Urës së Vjetër të Gurit në qendrën e qytetit të Prizrenit, e ndërtuar mbi shtratin e Lumbardhit në fund të shek.XV ose në fillim të Shek. XVI.

 

Të dy këto ura janë ndër destinacionet më atraktive të turistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

 

Ndërtimet karakteristike të këtyre urave u punuan nga mjeshtër të kohës të ndihmuar edhe nga banorët vendas, me material të po atij lokaliteti.

 

Për madhështinë e tyre me vlerat kulturore e arkitektonike që bartin, ato sot janë në listën e  trashëgimisë kulturore të Shtetit të Kosovës.

 

Filatelia e Kosovës për çdo vit emeton pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore të vendit tonë me qëllim të promovimit tësaj.