Posta nderon shkrimtarët Anton Pashku dhe Azem Shkreli

Prishtinë, 02 korrik 2018 -
Në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara”,  Filatelia e Postës së Kosovës emetojë pullat postare me imazhet e shkrimtarëve tanë, Anton Pashku dhe Azem Shkreli.

Anton Pashku u lind më, 1937 në Has të Thatë të Prizrenit. Shkollimin e kreu në Prizren dhe Prishtinë, ndërsa tërë jetën punoi si redaktor në gazetën "Rilindja". Tregimet e para i botoi në vitin 1957 me vizion të fuqishëm dhe largpamës. Veprat e Pashkut sjellin një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare dhe realizohen përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit që nxit dhe motivon lexuesit që ta kërkojnë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën lexuesin të jetë zëri kryesor. Anton Pashku u nda nga jeta në vitin 1995.

Azem Shkreli u lind më, 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollimin e kreu në vendlindje, kurse Fakultetin Filozofik e kreu në Prishtinë. Ishte kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Azem Shkreli, në radhë të parë shënoi poezi të rëndësishme duke e çliruar unin lirik intim nga ai kolektiv, duke trajtuar temën e dashurisë për vendlindjen, duke portretizuar njeriun e truallit rugovas me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste. Në anën tjetër, thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare/kosovare, Shkreli e bëri me romanin "Karvani i bardhë", si dhe me tregimet e përfshira në vëllimin "Sytë e Evës", që konsiderohen si më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër. Azem Shkreli u nda nga jeta në vitin 1997.