Pulla postare “Heronjtë: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu”

Prishtinë, 2 nëntor 2018 -
Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Heronjtë: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu”, për nder të përvjetorit të 29-të të rënies së tyre heroike.

Në ceremoninë e mbajtur në Qeverinë e Republikës së Kosovës, organizuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj, mori pjesë kryeshefi ekzekutiv, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësues të familjeve të heronjve, bashkëveprimtarë të tyre, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe mysafirë të tjerë.

Në fjalimin e tij kryeshefi ekzekutiv, Sejdi Hoxha tha se: “Afrimi dhe Fahriu ishin veprimtarë të mëdhenj të kombit, qëndresa e tyre bëri jehonë të jashtëzakonshme. Trimëria e tyre, frymëzoi mijëra të rinj shqiptarë për t’u rreshtuar në rrugën e gjatë drejt çlirimit përfundimtar nga regjimi serb. Ai shprehu respektin e tij të lartë ndaj familjarëve të heronjve, duke iu dhuruar pullat postare të punuara në bronz.

Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ishin ndër aktivistët dhe organizatorët më të shquar që kishte në gjirin e saj Lëvizja Kombëtare në Kosovë gjatë viteve të 80-ta. Ata ishin sypatrembur në kryerjen e detyrave dhe aksioneve kundër regjimit pushtues jugosllav.

Aktiviteti i tyre i pandalshëm kundër pushtuesit kishte rënë në sy të sigurimit shtetëror serb. Më 2 nëntor 1989 kryeqyteti i Kosovës u trondit nga krismat e armëve. Forca të mëdha serbe rrethuan vendqëndrimin e tyre në lagjen “Kodra e diellit” në Prishtinë. Pas një beteje që zgjati 10 orë, Afrimi dhe Fahriu ranë heroikisht me armë në dorë. 

Emrat e heronjve tanë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, ashtu siç u përjetësuan në shumë institucione, rrugë e sheshe,  nga sot e mot do të përjetësohen edhe në pullë postare. Imazhet e tyre të ndritura do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare.
Dy luftëtarët e lirisë janë dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Kujtimi për dy Heronjtë e luftës sonë për liri do të jetoj përgjithmonë!