Pulla postare “I patunduri – Adem Demaçi”

Prishtinë, 27 nëntor 2018 -
Me rastin e festës së 28 nëntorit, Dita e Flamurit Kombëtar, Posta e Kosovës në kuadër të tematikës  “I patunduri – Adem Demaçi”, ka emetuar një  pullë postare me imazhin e veprimtarit të madh Adem Demaçi, heroi i kombit shqiptar.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë të tij, priti  anëtarë të familjes Demaçi, të cilëve i dhuroi pullën e parë postare të punuara në bronz, si dhe disa prej bashkëveprimtarëve të Bacës Adem.

Kryeshefi Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të kësaj pulle postare të nderojmë figurën më të ndritur të kombit shqiptar, simbolin e rezistencës dhe sakrificës për liri dhe bashkim kombëtar, bacë Adem Demaçi. Ai ishte një personalitet që me një vetëmohim të jashtëzakonshëm u angazhua tërë jetën për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb dhe jugosllav. Ai i flijoi 28 vjet në burgje por asnjëherë nuk u mposht as nuk hoqi dorë nga ideali i tij jetësor për liri dhe bashkim të popullit shqiptar.

“Adem Demaçi u rreshtua përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke u bërë edhe Përfaqësues Politik i saj, detyrë që do ta kryej me një guxim të pashoq në zyrën e hapur në Prishtinë. Emri i heroit kombëtar, Adem Demaçi, nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare. Imazhi i tij i ndritur do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare dhe do t’i lartësoi vlerat që i krijoi kombi ynë ndër shekuj në shërbim të atdheut dhe vlerave paqësore të njerëzimit” u shpreh kryeshefi Hoxha.

Për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit foli bashkëveprimtari i tij, Ilaz Pireva, i cili paraqiti një biografi të bujshme të Bacës Adem dhe veprimtarinë e tij patriotike, përndjekjen e tij nga regjimi serbo-jugosllav, burgosjet e tij, si dhe frymëzimin e jashtëzakonshëm të shokëve të idealit të tij për çlirim dhe bashkim kombëtar, që asnjëherë nuk e ndalën rrugën e lirisë.

Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe bashkëshortja e Bacës Adem, Xhemajlije Demaçi, e cila me emocione shpalosi fisnikërinë dhe qëndresën e saj gjatë viteve që i kaloi jetë me të madhin e kombit Adem Demaçi.

Krenaria për sakrificën dhe përkushtimin e Adem Demaçit do të jetoj përgjithmonë!