Katër heronj në pulla postare

Prishtinë, 25 mars 2019-
Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Heronjtë: Idriz Seferi, Shaban Polluzha, Marie Shllaku dhe Ismail (Imer) Thaqi”, për nderim të veprës së tyre heroike për çlirimin e atdheut.


Me këtë rast në Kuvendin e Kosovës, kryeparlamentari Kadri Veseli, priti në zyrën e tij një delegacion të Postës së Kosovës, kryeshefin ekzekutiv Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorët e tij, si dhe përfaqësues të familjeve Seferi, Polluzha dhe Thaqi, të cilëve iu dhuroi pullat e para postare si dhe nga një pullë postare të punuara në bronz.
Kryetari Veseli në fjalën e tij tha se “ndjehem i nderuar pran familjeve të mëdha që kanë dhënë shumë kontribut për Vendin, prandaj kemi obligim që historinë tonë kombëtare t’ia tregojmë gjeneratave të reja”.


Kryeshefi Hoxha deklaroi se: “Veprat e tyre kanë qenë udhërrëfyese për të gjitha gjeneratat e mëvonshme në organizimin e popullit në forma të ndryshme për liri, me kryengritje, demonstrata e deri tek lufta e armatosur e UÇK-së .Është krenari për Postën e Kosovës dhe Filatelinë e saj që  Imazhet e ndritura të heronjve tanë do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare.


Përfaqësuesit e familjeve u ndien të nderuar me vlerësimin e lartë që iu bënë nga institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi dhe Posta e Kosovës që po i përjetësojnë heronjtë e kombit edhe në pulla postare, në nderim të veprave dhe kontributeve të tyre për liri.


Përmes këtyre pullave postare që bartin imazhet e figurave të ndritura të kombit, nderohet heroizmi i tyre që lanë gjurmë të pashlyera në kryengritjet e armatosura 1910-1945 në luftën e drejtë për çlirim nga pushtimi i dhunshëm ish jugosllav dhe për bashkimin tonë kombëtar.
Kujtimi për heronjtë e Kosovës rron përgjithmonë në mendjet dhe zemrat tona!