“Javët Gjermane” në pullë postare

Prishtinë, 2 Tetor 2009

Me rastin e dhjetë vjetorit të bashkëpunimit dhe partneritetit me shtetin gjerman, që nga data 23.09.2009 deri më 17.10.2009, ka filluar manifestimi kulturor nëpër Kosovë i titulluar “Javët Gjermane”.

Në kuadër të kësaj, Filatelia e Postës së Kosovës, PTK Sh.A. ka emetuar pullën postare në shenjë të përkrahjes së një partneriteti tradicional, me një mbrëmje solemne në të cilën mori pjesë ambasadori gjerman Hans-Dieter Steinbach, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK Sh.a., Prof. Dr. Shyqyri Haxha dhe shumë personalitete të rëndësishme të jetës politike, ekonomike dhe kulturore në Kosovë.

“Dhe ajo që e zbukuron edhe më shumë këtë natë, këtë pjesë të festës tonë është promovimi i pullës postare “Javët Gjermane” për çka ne falënderojmë shumë PTK për këtë pullë dhe për përkrahjen e madhe që na e ka dhënë për organizimin e manifestimit “JAVA GJERMANE” në përgjithësi. Përkushtimit i menaxhmentit aktual për punë të mirë po shihet qartë për çka ne si ambasadë i përgëzojmë dhe u urojmë që sukseset të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha ambasadori gjerman Hans-Dieter Steinbach.

Në anën tjetër, Kryshefi Ekzekutiv i PTK-së, para të pranishmëve që ishin pjesëmarrës në provimin e pullës postare “Javët Gjermane,” e cila u bë në kuadër të manifestimit, pohoi se PTK është krenare që ka bërë diçka për këtë manifestim.

“Kjo pullë e cila u promovua sot, tregon qartë miqësinë shqiptaro-gjermane dhe është edhe një shenjë falënderimi për popullin gjerman, për ndihmat që kanë dhënë për ne në kohërat më të vështira nëpër të cilat kemi kaluar si popull”, pohoi Dr. Haxha pas promovimit të pullës postare.
   
Kjo pullë do të vazhdojë të përhapë mesazhin e bashkëpunimit dhe partneritetit gjermano-kosovar, anekënd botës që nga dita e parë e emetimit. Publikimi i pullës është bërë me 03.10.2009, në ditën kur edhe doli në qarkullim emisioni i jashtëzakonshëm i pullës postare me motivin “Javët gjermane”.