Pullat e para të Postës së Kosovës janë emetuar më 15 mars të vitit 2000. Emisioni i parë i pullave postare të PK-së është përbërë prej 5 pullave postare me pamje dhe vlera  të ndryshme nominale. Nominalet që përcaktojnë vlerën e pullës postare kanë qenë në valutë  DM, e cila në atë kohë ka qenë valutë zyrtare në Kosovë.

Emisioni i parë i pullave postare të Postës së Kosovës ka qenë në qarkullim të rregullt postar deri më 12 nëntor të vitit 2001, kur u lëshua në qarkullim emisioni i dytë i pullave postare të PK-së. Në kuadër të këtij emisioni janë emetuar 5 pulla postare me pamje dhe vlera të ndryshme nominale. Karakteristikë për emisionin e dytë të pullave postare të PK-së ka qenë se nominalet i kishin në dy valuta DM dhe €, ngase në atë kohë në Kosovë bëhej konvertimi i valutës zyrtare nga marka gjermane në euro. Emisioni i dytë ka qenë në qarkullim të rregullt postar për një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Me tërheqjen e valutës së markës gjermane nga qarkullimi monetar, paraqitet domosdoshmëri e emetimit të pullave postare me vlera nominale në €. Andaj, më 15 maj të vitit 2002, në qarkullim të rregullt postar lëshohet emisioni i tretë i pullave postare të PK-së. Pamjet e 5 pullave postare të emisionit të tretë ishin të njëjta sikurse ato të emisionit të dytë. Dallimi ishte vetëm në valutën e përdorur, ngase në emisionin e tretë vlerat nominale janë shënuar vetëm në valutë euro. Ta shtojmë edhe atë se ky emision ka qenë në qarkullim të rregullt postar deri në konsumimin e plotë të tij.
Zhvillimi më i hovshëm i Filatelisë së Kosovës fillon në vitin 2004, kur mundësohet emetimi i një numri më të madh tematikash, që ka vazhduar të rritet prej vitit në vit.

Me vlerë të veçantë historike në Filatelinë e Kosovës bëjnë pjesë pullat postare nga emisionet komemorative “7 Marsi – Dita e mësuesit “, i emetuar më 7 Mars 2008, në të cilin për herë të parë inkorporohet teksti  “Republika e Kosovës “,“Dita e pavarësisë “, i emetuar më 19 Mars 2008, i cili promovon shtetin e ri,  me sovranitet dhe identitet të theksuar, shënimi jubilar dhe gjysmë jubilar i pavarësisë, heronjtë, etj.

Edhe pse Filatelia e Kosovës është relativisht e re për nga veprimtaria, krahasuar me filatelitë e administrative postare në regjion, deri më tani ka arritur të ketë një fond të begatshëm të emisioneve të pullave postare që trajtojnë tematika të ndryshme nga historia, arti, sporti , flora dhe fauna, bukuritë natyrore, etj.

 

Historiku i shkurtër i pullës postare në botë

Dikur, për shërbime postare është paguar me para të gatshme, zakonisht pagesën e ka bërë pranuesi. Shpeshherë në zarf ka qenë e shënuar porosia e shkurtër dhe pranuesi me leximin e saj e ka refuzuar pranimin e letrës dhe pagesës. Në raste të këtilla shërbimi postar është keqpërdorur nga njerëzit e papërgjegjshëm. Për t’i evituar situatat e këtilla, anglezi Rowland Hill propozoi që në zarf të ngjiten dëftesa të vogla për pagesën e kryer. Legjenda thotë se zotëri Hill gjatë shëtitjes e ka vizituar limanin, në të cilin shkarkoheshin mallrat e ndryshme dhe letërdërgesat postare. Kureshtjen e tij e ka zgjuar një vajzë e re që priste punonjësin e postës. Punonjësi që ishte mësuar që gjithnjë ta takonte këtë vajzë, posa zbriti nga anija ia dorëzoi një zarf. Vajza e shikoi zarfin, por nuk e pranoi. Zoti Hill u afrua te vajza dhe e pyeti: “Po pse nuk e more letrën”, vajza u përgjigj “Nuk pata para ta paguaj, por përmes shenjave kuptova se të fejuarin e kam mirë”. Kështu që në Angli, më 6 maj të vitit 1840 u emetua pulla e parë postare në botë e njohur si “Penny Black” apo “Peni i zi”. Emërtimin “Peni i zi” e mori ngase në prapavijën e zezë të pullës postare është i shtypur portreti i mbretëreshës Viktoria, ndërkaq vlera e deklaruar e saj ishte 1 peni.

Fillimisht, pullat postare janë shtypur në tabak të mëdhenj dhe janë prerë me gërshërë, gjë që merrte shumë kohë, deri në zbulimin e makinës së perforit nga britaniku Archer, në vitin 1847.

Prej datës së emetimit të pullës së parë, në Angli fillojnë pagesat e shërbimeve postare. Gradualisht, edhe vendet tjera evropiane fillojnë ta përdorin pullën postare si mjet të pagesës së shërbimeve postare, kështu që në fund të shekullit XIX pulla postare bëhet pjesë përbërëse e qarkullimit postar.

 

Bota magjike e pullës postare

Në të kaluarën jo shumë të largët, arritja e një letre, të cilën në shtëpi e sillte postieri, ishte ngjarje e vërtetë. E tërë familja me ngazëllim priste se çfarë shkruante në letër. Ishte kjo mënyra e komunikimit me më të dashurit tanë dhe letrat e shkruara ruheshin të lidhura me një fjongo, në sirtarë si kujtime të dashura.

Për nga pamja, atraktivitetin e letrës padyshim e shtonte pulla postare. Pamja e ndonjë vendi të largët në botë në pullë postare zgjonte interesimin tonë dhe shpeshherë na nxiste fantazinë, duke paramenduar se jemi vizitorë të po atij vendi ekzotik.

Pak kush është pyetur në fëmijëri pse në zarf të letrës vendosen pullat postare? Pse-në e keni kuptuar kur filluat vet të dërgoni letra, kartëpostale apo pako.

Me pullë postare ne dëshmojmë se e kemi paguar shërbimin postar, të cilin punonjësit e postës e bëjnë për ne. Pra, pulla postare është kundërvlera e shërbimit postar, të cilin Posta e kryen për konsumatorët.

Meqenëse kërkesat tona për shërbime postare mund të jenë të ndryshme, pullat postare kanë nominale/vlera të ndryshme, varësisht nga shërbimi i kërkuar.

Zakonisht vlera nominale shënohet në këndin e lartë, në anën e djathtë të pullës postare. Varësisht nga motivi, nominalja mund të lëviz në këndin, i cili nuk do ta dëmtojë motivin e prezantuar në dizajnin e pullës. Në pullë postare prezantohet llogoja e operatorit postar dhe medoemos shënohet emri i vendit, nga i cili emetohet.

Letra e shkruar ngjallë emocione dhe nostalgji, dorëshkrimi i dërguesit paraqet një personalizim të porosive të natyrave të ndryshme, e që në të njëjtën kohë janë materiale me mundësi leximi dhe rileximi. Gjatë udhëtimit të letërdërgesës, udhëton edhe pulla postare, e cila përmes imazhit të saj, prezanton vendin e origjinës së saj. Prandaj, është e natyrshme që shumë  koleksionistë pullën postare e quajnë ambasador të vendit të emetimit, ngase përmes saj prezantohen bukuritë natyrore, trashëgimitë kulturo-historike, pasuritë natyrore, të arriturat e ndryshme në lëmin e shkencës, artit e sportit.

Prandaj,  mos t’ju habitë fakti se pullat postare në shikim të parë mund të duken të vogla, veçantia e tyre është se nga ato mësojmë shumë, pothuajse si nga libri për vendin, i cili i ka emetuar.

Tani ju ftojmë të udhëtojmë së bashku ndër vite, përmes pamjeve të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës!

Pullat postare