Qytetarët e Mitrovicës Veriore po përjetojnë një moment të veçantë, pasi hapëm zyrën e re postare në këtë pjesë të qytetit. Kjo është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve postare dhe rritjes së efikasitetit në ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe bizneset.
Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Qeverisë së Kosovës për mbështetje të pakushtëzuar në realizimin e këtij projekti dhe ndjejmë nder për prezencën e Ministres së Ekonomisë, Znj. Artane Rizvanolli, Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Z. Elbert Krasniqi, si dhe Kryeshefes Ekzekutive të Postës së Kosovës, Znj. Nora Rraci, së bashku me Bordin e Drejtorëve dhe bashkëpunëtorët e saj.
Zyra e re postare në Mitrovicën Veriore ofron një gamë të plotë shërbimesh, duke përfshirë dërgesat postare kombëtare dhe ndërkombëtare, shërbimet e pagesave dhe transferet e parave. Ajo është e pajisur me të gjitha shërbimet postare dhe ato të shërbimeve financiare jo bankare, që i shërbejnë më mirë qytetarëve dhe bizneseve të zonës.
Përveç shërbimeve postare, kemi ndarë një hapësirë për Telekomin e Kosovës, ku qytetarët mund të blejnë produkte dhe shërbime nga ky operator. Kjo do të ofrojë një qendër të plotë shërbimi dhe do të lehtësojë qasjen ndaj shërbimeve për qytetarët e Mitrovicës Veriore.
Kjo infrastrukturë e re është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së jetës në këtë komunitet dhe për zgjatimin e rrjetit të shërbimeve tona në të gjithë vendin. Posta e Kosovës angazhohet për të avancuar më tej shërbimet dhe për të qenë më afër qytetarëve.
Së bashku, do të vazhdojmë të përmirësojmë shërbimet tona dhe të ndihmojmë në zhvillimin e vendit tonë.