Sot, Postën e Kosovës e vizitoi Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë (ME), znj. Artane Rizvanolli. Delegacioni qeveritar u mirëprit nga Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, znj. Nora Rraci, anëtarët e Bordit të Drejtorëve dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Gjatë takimit, Kryeshefja Ekzekutive, znj. Nora Rraci, i shprehu mirëseardhje dhe falënderime Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli për vizitën, duke i informuar për gjendjen e përgjithshme të ndërmarrjes dhe për rezultatet e arritura në fund të vitit 2025. Ajo theksoi se, pas më shumë se një dekade humbjesh dhe stagnimi, që nga viti 2023 Posta e Kosovës ka realizuar një kthesë të qëndrueshme në menaxhim dhe performancë financiare, me fitim neto prej 278 mijë euro në vitin 2024, ndërsa viti 2025 pritet të mbyllet me rreth 1 milion euro fitim neto.
Kryeshefja Rraci prezantoi punën sistematike të ndërmarrë nga Posta e Kosovës, me fokus të vazhdueshëm në nevojat e qytetarëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ajo njoftoi për zgjerimin e rrjetit postar në 166 zyra postare, si dhe për investimet kapitale të realizuara me mjete vetanake, përfshirë flotën e transportit, brendimin dhe modernizimin e zyrave postare dhe pajisjeve të punës, investimet në teknologji, digjitalizim dhe siguri kibernetike, si dhe investimet ekologjike me efikasitet të lartë.
Më tej, Kryeshefja Ekzekutive vuri në pah forcimin e besueshmërisë institucionale të Postës së Kosovës, të konfirmuar përmes opinionit të pakualifikuar të Auditorit të Jashtëm dhe certifikimit me standardin ndërkombëtar ISO 9001. Ajo theksoi se Posta e Kosovës tashmë përbën shembull të reformës së suksesshme në sektorin publik dhe prezantoi planet strategjike për vitin 2026, me fokus në ofrimin e shërbimeve të sigurta, cilësore dhe të qasshme çdo ditë të vitit për qytetarët dhe shtetin.
Kryeministri Albin Kurti e vlerësoi Postën e Kosovës si një institucion shtetëror me rëndësi të veçantë, që i shërben vendit si në kohë paqeje, ashtu edhe në situata sfiduese. Ai, së bashku me Ministren Rizvanolli, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetje institucionale, veçanërisht në investime kapitale me kthim të qëndrueshëm.
Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli falënderuan udhëheqësit e ndërmarrjes për mikpritjen dhe informacionet e shkëmbyera, duke shprehur respekt të veçantë për të arriturat e Postës së Kosovës, menaxhmentin dhe punonjësit për punën e tyre të palodhshme.








English