Kryeshefja Ekzekutive diskuton të ardhmen e Filatelisë me Komisionin e Pullës Postare

Në takimin përmbledhës të fundvitit, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës dhe ekipi i saj pritën anëtarët e Komisionit të Pullës Postare për të diskutuar arritjet dhe zhvillimet kryesore gjatë vitit, si dhe mundësitë për të avancuar më tej rolin e Postës në promovimin e vlerave shoqërore dhe kulturore. U theksua roli i pullës postare si një ambasadore vizuale e historisë, kulturës dhe identitetit të Kosovës, edhe në epokën digjitale.

Diskutimet u përqendruan në mundësitë për promovimin kulturor, ekonomik dhe turistik të Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, me mbështetje të plotë nga Posta për realizimin e këtyre qëllimeve. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e përfshirjes së tematikave zhvillimore, mjedisore dhe sociale në dizajnimin e pullave, duke reflektuar angazhimin për kauza të rëndësishme, si Dita e Tokës, 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe data të tjera me rëndësi ndërkombëtare.

Anëtarët e Komisionit vlerësuan përkushtimin e Postës për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të rëndësishme shoqërore dhe kulturore dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në arritjet e deritanishme. Ata e cilësuan pullën postare si një simbol të trashëgimisë, diversitetit dhe angazhimit shoqëror, me potencial për të forcuar imazhin e Kosovës në nivel ndërkombëtar.