OPINIONI në Raportin e ZKA-së për Postën e Kosovës Sh.A., –  Posta e Kosovës për herë të parë që nga viti 2017, del pa opinion të kundërt!

NPQ “Posta e Kosovës” Sh.A., funksionon si ndërmarrje e veçantë, që prej vitit 2012 kur është ndarë nga NP “PTK” Sh.A. (sot, NPQ “Telekomi i Kosovës” Sh.A.) Që prej vitit 2017, prej kur Zyra Kombëtare e Auditimit e auditon Postën, të gjitha raportet përveç këtij të fundit, kanë qenë me “Opinion të Kundërt”.

Pra, gjer më tani Pasqyrat Financiare nuk kanë paraqitur një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të NQP “Posta e Kosovës” Sh.A.

Ky fakt ka ndryshuar në pasqyrat e audituara nga ZKA-ja për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2021, ku Opinioni i ZKA-së ka qenë “i kualifikuar”, pra Pasqyrat Financiare të prezantuara paraqesin një pamje të drejtë, të vërtetë në të gjitha aspektet materiale të pozitës financiare të NPQ “Posta e Kosovës” Sh.A.

Saktësisht, opinioni i ZKA-së për 2021 është: “…Pasqyrat Financiare të bashkëngjitura për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale të pozitës financiare të Postës së Kosovës sh.a. deri me 31 dhjetor 2021, performancës së saj, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2021, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).

Me angazhimin e Menaxhmentit të lartë dhe të Bordit të Drejtorëve të NQP “Posta e Kosovës” Sh.A. gjatë katër muajve të parë të vitit 2022,  janë vendosur standarde raportimi e kontrolle financiare, që kanë rezultuar me prezentim të saktë të pasqyrave financiare dhe shmangie të situatës si në vitet paraprake.

Raporti i ZKA-së për vitin 2021 ka dhënë nëntë rekomandime, nga të cilat gjashtë (6) të reja dhe tre (3) të përsëritura. Nga rekomandimet e reja, dy sosh, ato të listuar si: A1 (Mos prezantim i saktë i investimeve…) është peng i një procesi të vonuar gjyqësor, kurse A6 (ekzekutimi i pagave) është adresuar që në 6-mujorin e dytë të vitit 2021.

Sa i përket gjetjeve nga raporti i ZKA-së për vitin 2020, pjesa më e madhe e tyre tashmë janë adresuar, gjithashtu.

Edhe situata me tatime e kontribute është shumë më e mirë, tashmë i kemi shlyer të gjitha obligimet ndaj ATK-së dhe Trustit.

Sa i përket humbjeve, duhet theksuar se në raportin e ZKA-së, një pjesë e tyre i atribuohen zhvlerësimeve (të aseteve: paisjeve, ndërtesave, etj). Më poshtë kemi dhënë një tabelë që pasqyron në formë krahasuese situatën në mes të viteve 2020 dhe 2021:

                                                                 2020        2021         

Humbja për vitin:                               2,735,527   1,929,490

Zhvlerësimi&Amortizimi:                 1,700,072   1,680,447

Humbja para Zh&A:                          1,035,455     249,043

 

Pra, EBTDA e NPQ “Posta e Kosovës” Sh.A., për vitin 2021 është  -249.043 EUR, në krahasim me vitin 2020 kur ka qenë:  -1,035.455 EUR.

Edhe pse në gjendje shumë të vështirë operacionale dhe financiare, NPQ “Posta e Kosovës” Sh.A., ka arritur të mbajë një operacionalitet të plotë, duke ofruar shërbime e produkte që edhe më tej do të shtohen e do të përmirësohen në cilësi.

Me ndihmën që e kemi pranuar nga Qeveria në kuadër të pakove të rimëkëmbjes, trajtimin e shërbimit universal postar, nikoqirllëkut, investimeve, ngritjes së të ardhurave: duke e zgjeruar rrjetin postar, shtuar shërbime, dixhitalizuar proceset, do t’ia dalim që të rimëkëmbim ndërmarrjen, duke e kthyer në një shërbyes të vyer për publikun e një kolektiv të shëndoshë për punonjësit e saj.

Raportin e plotë të ZKA-së për vitin 2021 mund ta gjeni këtu: https://zka-rks.org/wp-content/uploads/2022/06/RaportiAuditimit_Posta_2021_Shqip.pdf