Posta e Kosovës e hapë zyrën postare ‘flagship’ në qendër të Kryeqytetit

Sot, në një atmosferë të entuziazmit në prani të aksionarit, të përfaqësuar me Kryeministrin e Republikës dhe Ministren e Ekonomisë, u bë hapja solemne e zyrës më të re postare e Postës së Kosovës. Kjo zyrë në një lokacion atraktiv, në qendër, nën objektin “Toskana”, në mes të sheshit “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti” do të jetë zyra ‘flagship’ e operatorit publik postar në Kryeqytet.

 

Në ceremoninë e hapjes së pikës së re, morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci.

 

Kryeministri Kurti e shënoi hapjen e kësaj zyre duke dërguar personalisht një kartolinë, simbol i lidhjes së ngushtë mes qytetarëve dhe shërbimeve të Postës së Kosovës. Kryeministri Kurti  theksoi se kjo është pika e 145 e Postës së Kosovës në Republikën e Kosovës dhe ka falënderuar Ministren Rizvanolli dhe Kryeshefen Rraci, për punën e mirë që po bëjnë në zhvillimin e Postës së Kosovës.

 

“Posta e Kosovës është duke u ngritur, duke i bërë shërbimet më cilësore e më të shpejta, e më të lira dhe duke qenë përherë pranë qytetarëve të vendit tonë pa dallim”, tha mes tjerash Kryeministri Kurti.

 

Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, deklaroi se: “Jemi të përkushtuar të sjellim një përvojë të re postare për qytetarët e Kosovës, duke vendosur cilësinë dhe shërbimin e shkëlqyeshëm në qendër të veprimtarisë sonë. Zyra jonë e re do të jetë më afër se kurrë qytetarëve dhe do të ofrojë të gjitha shërbimet që ata meritojnë.” Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e pakushtëzuar nga ana e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e misionit tonë që të kemi zyra postare të bollshme për të gjithë. Ndër të tjera Kryeshefja Ekzekutive falënderoi Ministrinë e Ekonomisë dhe ndërmarrjen publike KEK, për bashkëpunim ndërinstitucional shembullor në hapje të kësaj zyre të re postare në zemër të Kryeqytetit.

 

Ndërsa, Ministrja Rizvanolli pohoi se sot po përurojnë pikën më të re të Postës së Kosovës, pas Mitrovicës së Veriut, e cila është në qendër të Prishtinës, në lokacionin më të mirë në Prishtinë. Ajo pohoi se tani punëtorët e Postës së Kosovës kanë kushte më të mira për punë, me ndryshime që në dukje mund të duken të vogla, por janë shumë të mëdha për përmirësimin e shërbimit dhe për punëtorët. 

 

Kjo zyre postare është më shumë se një hapësirë moderne, ajo është një simbol i dedikimit tonë për t’u shërbyer qytetarëve me profesionalizëm dhe për të krijuar një përvojë më të lehtë dhe të shpejtë për të gjitha shërbimet që ofrojmë. Ne ju ftojmë të na vizitoni dhe të shfrytëzoni shërbimet tona të përmirësuara dhe të reja që janë më afër se kurrë më parë.