Posta e Kosovës lëshon emisionin e ri filatelik “Sahat Kullat”

Posta e Kosovës, përmes sektorit të Filatelisë, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Sahat Kullat”, kushtuar dy monumenteve të veçanta historike dhe kulturore të Republikës së Kosovës: Sahat Kullës së Prishtinës dhe Sahat Kullës së Gjakovës.

Ky emision filatelik synon të rikujtojë dhe promovojë trashëgiminë tonë urbane, duke vënë në pah vlerën historike, arkitektonike dhe simbolike të këtyre objekteve, të cilat ndër shekuj kanë qenë dëshmi e zhvillimit qytetar dhe ritmit të jetës urbane.

Sahat Kulla e Prishtinës, e vendosur pranë Xhamisë së Mbretit, është një prej monumenteve më të njohura të kryeqytetit. E ndërtuar me gurë dhe me funksionin e dikurshëm të matjes së kohës, ajo paraqet një urë lidhëse mes së kaluarës dhe të tashmes.

Sahat Kulla e Gjakovës, e ngritur në zemër të Çarshisë së Madhe, mbetet simbol i identitetit kulturor të qytetit dhe një dëshmi e mjeshtërisë së ndërtimit tradicional. Përkundër sfidave historike, ajo ka mbijetuar dhe vazhdon të jetë një nga monumentet më të dashura për qytetarët dhe vizitorët.

Me vendosjen e tyre në pulla postare, këto dy monumente marrin një dimension të ri – ato udhëtojnë përtej kufijve, duke përçuar historinë dhe artin tonë në të gjitha anët e botës. Posta e Kosovës fton qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që të blejnë këto pulla, duke mbështetur kështu promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit!