Sot, Postën e Kosovës e vizitoi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët u mirëpritën nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Fadil Bejta dhe Kryeshefja Ekzekutive, Nora Rraci me bashkëpunëtorë të tyre.
Kryesuesi i Bordit dhe Kryeshefja Ekzekutive, iu shprehën mirëseardhje dhe falënderime të përzemërta Kryeministrit Kurti dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ata fillimisht vizituan zyrën postare nr.10, pastaj në Administratën Qendrore mbajtën takimin e përbashkët, me ç’ rast u informuan më në detaje mbi gjendjen e përgjithshme të ndërmarrjes, për sfidat, sukseset, investimet, si dhe për shërbimet më të reja që Posta e Kosovës ofron çdo ditë qytetarëve në të gjithë Vendin tonë.
Kryeshefja Rraci, njoftoi Kryeministrin Kurti për planet që ka Menaxhmenti, për zgjerimin e gamës së shërbimeve postare, për bashkëpunimin me institucionet komunale dhe qendrore, me kompanitë regjionale të ujësjellësit, si dhe me operatorët ekonomik privat për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore ndaj qytetarëve. Ajo së bashku me Drejtorët e Bordit prezantuan idetë për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjes, si dhe kërkuan mbështetjen e Qeverisë si aksionare e ndërmarrjes.
Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli, vlerësuan dhe uruan Postën e Kosovës si e vetmja ndërmarrje shtetërore që ka marr kualifikimin më të lartë të Raportit pa modifikim nga Zyra Kombëtare e Auditorit. Ata falënderuan drejtuesit e ndërmarrjes për mikpritje, për informacionet e shkëmbyera, si dhe shprehën respektin edhe për gjithë punonjësit tanë, ndërsa premtuan mbështetje të vazhdueshme të institucioneve qeveritare.
Në përfundim të takimit, Kryeshefja Ekzekutive, Nora Rraci i dhuroi pulla postare të kornizuara, Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministres Artane Rizvanolli, në shenjë mirënjohje, vlerësimi dhe për mbështetjen e tyre për Postën e Kosovës.