Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin e pullave postare ”Arti figurativ – Agim Salihu – veprat”.
Nga thesari i begatshëm i krijimtarisë artistike të artistit figurativ kosovar, përmes emisionit të ri të pullave postare, Filatelia e Postës së Kosovës prezanton veprat e grafistit të mirënjohur, Agim Salihu.
Motivet e katër pullave postare bartin imazhet e veprave të Agim Salihut, të cilat karakterizojnë një stil të veçantë grafist të bazuar në burimet e frymëzimit, të cilat shpesh herë janë të tërhequra nga udhëtimet në mjediset e përditshme.
Në aspektin pamor çdo moment është i ndryshëm, prandaj veprat paraqesin një kombinim të së përditshmes dhe të kujtesës për hapësira dhe objekte, mënyrën se si i kemi parë në të kaluarën. Trajtimet grafike janë herë reale e herë abstrakte, të lidhura me realitetin, por të trajtuara me profesionalizëm dhe kreativitet të autorit.
Për krijimtarinë artistike, Agim Salihu është shpërblyer me çmime të shumta në bienale ndërkombëtare, ndërsa është vlerësuar si profesor dhe grafist nga institucionet prestigjioze të arteve të bukura të SHBA-së, prandaj jo rastësisht ka arritur që veprat e tij të jenë pjesë e koleksioneve të çmuara në Japoni, Kroaci, Itali, Portugali, Kinë.
Pjesë e këtij emisioni të pullave postare do të jetë edhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërkaq në qarkullim postar do të jetë deri në konsumimin e plotë. Posta e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat artistike të vendit në botë, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë filatelik.







English