Posta e Kosovës, pasuroi flotën e saj me 30 motoçikleta elektrike të llotit të dytë nga buxheti vetanak, angazhim me veprim konkret për të përmirësuar shërbimin e dërgesave të konsumatorëve të saj, njëherësh edhe në favor të mbrojtjes së mjedisit.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre motorëve, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Znj. Nora Rraci, u shpreh se: “ me këtë investim modern dhe ekologjik do të kryejmë shërbime shumë më cilësore dhe më të shpejta në shpërndarjen e dërgesave të qytetarëve”. Kryeshefja Rraci, falënderoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Bordin e Drejtorëve për mbështetje të vazhdueshme ndaj Postës së Kosovës, ndërsa falënderoi edhe konsumatorët e ndërmarrjes, punonjësit e saj, si dhe iu uroi mbarëvajtje të punës postierëve përdorues të këtyre motorëve.
Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Znj. Artane Rizvanolli, përgëzoi Postën e Kosovës për këtë investim shumë të qëlluar, ajo tha se: “Besimi në shërbimet e Postës së Kosovës po rritet pasi cilësia e shërbimeve po rritet si rezultat i punës të së gjithëve: bordit, kryeshefes, punëtorëve, postierëve. Ne po punojmë në përmirësimin e kushteve të punës për postierët, përfshirë këtu çantat e uniformat e reja, e tash edhe motoçikletat e reja elektrike që do t’u lehtësojnë padyshim punën”.
Me këtë investim efiçient në motorikë moderne, Posta e Kosovës po avancon kushtet që postierët e saj të bëjnë shpërndarje rekorde të dërgesave ndaj qytetarëve në të gjitha vendbanimet e Republikës së Kosovës.
Posta e Kosovës është e përkushtuar të intensifikojë përpjekjet e saj drejt zhvillimit të projekteve, të cilat kanë efekt të dyfishtë, të ngritjes së cilësisë së shërbimit dhe reduktimit të emetimit të karbonit.
Shfrytëzimi i shërbimeve në Postën e Kosovës nga ana e qytetarëve, është një mbështetje shtesë dhe i bënë pjesë të mbrojtjes së ambientit – temë shumë e përzemërt për të gjithë ne.