Në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e shërbimeve postare dhe forcimin e institucioneve publike, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, Posta e Kosovës ka rikthyer në pronësi objektin publik në komunën e Leposaviqit dhe ka bërë hapjen zyrtare të zyrës së re postare për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi e Nënkryetarja, znj. Marina Bogojeviq, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës dhe Kryeshefja Ekzekutive, znj. Nora Rraci.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi:
“Rikthimi i objekteve publike në shërbim të qytetarëve dhe funksionalizimi i tyre përmes shërbimeve esenciale, siç janë shërbimet postare, është dëshmi konkrete e pranisë dhe funksionalitetit të Republikës së Kosovës në çdo cep të vendit. Kjo zyrë e re është një hap i rëndësishëm për fuqizimin institucional dhe zhvillimin ekonomik të komunës së Leposaviqit.”
Ministrja Rizvanolli në adresimin e saj, shtoj:
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të mbështesë ndërmarrjet publike si Posta e Kosovës në përpjekjet për zgjerimin e shërbimeve, rritjen e cilësisë dhe afrimin e tyre me qytetarët, veçanërisht në komunat ku nevoja për shërbime publike të qasshme është jetike për zhvillimin ekonomik dhe social.”
Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, znj. Nora Rraci, falënderoi institucionet për mbështetjen, duke theksuar:
“Hapja e kësaj zyre postare në Leposaviq është pjesë e vizionit tonë për të ofruar shërbime moderne, të sigurta dhe të afërta për qytetarët në të gjithë vendin. Posta e Kosovës mbetet e përkushtuar të jetë një shtyllë e rëndësishme e infrastrukturës publike dhe një partner besnik në zhvillimin socio-ekonomik të Republikës së Kosovës.”
Në kuadër të kësaj vizite, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vizituan gjithashtu edhe zyrën postare në Zveçan, të hapur një muaj më parë, ku u njohën nga afër me funksionalizimin e shërbimeve dhe interesimin e qytetarëve për shërbimet postare. Në fillim të këtij muaji, kjo zyrë ishte cak i një sulmi terrorist me granata dore. Ky akt qyqar nuk e zmbrapsi Postën e Kosovës, kjo zyrë rifilloj nga puna pas dy ditësh.
Posta e Kosovës mbetet e përkushtuar që, në partneritet me institucionet shtetërore, të zgjerojë dhe modernizojë shërbimet e saj në të gjithë vendin, duke kontribuar në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe fuqizimin e infrastrukturës publike. Posta e Kosovës, përveç shërbimeve tradicionale postare, ofron edhe shërbime financiare. Në këtë kuadër qytetarët mund të tërheqin në zyrat postare në EURO, vlera monetare të nisura nga kudo në botë, në cilëndo valutë.