Posta e Kosovës organizoi aktivitetin “Posta nderon gratë që thyejnë kufij”, në kuadër të muajit të grave dhe në frymën e 8 Marsit, me qëllim vlerësimin e rolit dhe kontributit të grave që përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Kryeshefja Ekzekutive, znj. Nora Rraci, së bashku me stafin drejtues, përfaqësuesit e bordit dhe përfaqësues institucionalë – Ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, si dhe Ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu, mirëpritën në këtë aktivitet alpinistet kosovare Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi, duke vlerësuar rrugëtimin dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme. Në shenjë respekti për këtë kontribut, Posta e Kosovës, përmes një emisioni të veçantë filatelik, ka përjetësuar sukseset e tyre në pulla postare.
Në fjalën e saj, znj. Rraci theksoi se gruaja kosovare ka qenë dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të shoqërisë, duke dëshmuar forcë, përkushtim dhe lidership në familje, në institucione, në biznes, në arsim, në sport dhe në jetën publike në përgjithësi. Ajo nënvizoi se gjithnjë e më shumë gra në Kosovë po marrin role udhëheqëse dhe po shërbejnë si modele frymëzimi për brezat e rinj.
“Arritjet e grave tona janë dëshmi se, me përkushtim dhe besim në vlerat tona, mund të arrihen suksese të jashtëzakonshme. Si institucion publik, Posta e Kosovës e sheh si përgjegjësi të veçantë që përmes filatelisë dhe aktiviteteve tona të promovojë histori suksesi që frymëzojnë shoqërinë dhe forcojnë identitetin tonë institucional dhe kombëtar,” theksoi znj. Rraci.
Ministrja Rizvanolli u shpreh se Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi janë ambasadore të denja të Kosovës dhe modele frymëzuese për gratë që sfidojnë stereotipet. Ajo vlerësoi guximin dhe përkushtimin e dy alpinisteve, duke theksuar arritjet e tyre në pushtimin e majave më të larta të botës dhe u uroi suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre.
Ndërsa ministri Jagxhiu theksoi progresin e dukshëm të vajzave kosovare në arsim dhe në fushën e TIK-ut, duke përfituar një pjesë të konsiderueshme të bursave shtetërore. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e promovimit të ecjes në natyrë dhe sugjeroi që sukseset e tyre të përfshihen në programet arsimore, si një burim frymëzimi për brezat e rinj.
Uta Ibrahimi vlerësoi mbështetjen që ka marrë ndër vite, duke theksuar njëkohësisht sfidat që gratë përballen në alpinizëm dhe angazhimin e saj për të inkurajuar dhe mbështetur gra të tjera në këtë sport.
Ndërkaq, Mrika Nikqi theksoi se ka nisur alpinizmin që në moshë të re dhe vlerësoi rritjen e pjesëmarrjes së grave në këtë sport, duke vazhduar aktivitetin e saj krahas angazhimeve profesionale.
Në përmbyllje të aktivitetit, Kryeshefja Ekzekutive u dhuroi alpinisteve pulla postare të kornizuara, si shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme.
Ky aktivitet rikonfirmon përkushtimin institucional dhe shoqëror të Postës së Kosovës për të fuqizuar rolin e grave dhe vajzave në Kosovë, duke promovuar barazi, mundësi të barabarta dhe përfaqësim dinjitoz në çdo sektor.










English