Sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e rregullt të pullave postare të titulluar “Dyert e Prizrenit”.
Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti si një vend unik në Ballkan për vlerat e trashëgimisë kulturore të civilizimeve dhe religjioneve të ndryshme, me një gërshetim harmonik të kulturave gjatë historisë dhe një numri të monumenteve të trashëgimisë kulturore të të gjitha kohërave, e që rrjedhimisht mban epitetin e ‘’Qytetit muze’’ të Kosovës.
Gati çdo cep i qytetit përmban një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë dhe e bën këtë qytet me vlerë të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike. Rrugët me kalldrëm, shtëpitë e vjetra ende të banueshme, të cilat në veçanti i karakterizojnë dritaret, por sidomos dyert e vjetra të qytetit, të lënë përshtypje shumë të veçantë.
Dyert zakonisht janë prej druri me elemente e aksesorë prej hekuri, që janë ruajtura aq me fanatizëm sepse nuk janë të rëndomta. Çdo pjesë e tyre është e lidhur me historinë shqiptare siç është çekiçi i varur në formën rrethore të diellit (kult i besimit ilir), si dhe bërryli apo bllokuesi i derës, i cili është në formë të gjarprit, sinonim i besimit ilir në të.
Kësaj radhe, Filatelia e Postës së Kosovës ju sjell dy pamje të pulla postare, ku prezantohen dyert e Prizrenit me karakteristika shqiptare, bazuar për nga rëndësia e lashtësisë dhe domethënies së tyre, të cilat do të shpalosin në gjithë botën vlerat e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës.