Sot, Filatelia e Postës së Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Tëbanat (stanet) tradicionale të bjeshkëve të Kosovës’’.
Vetë termi “stan” vjen nga mesjeta, kur stanet kishin lidhje me blegtorinë jo vetëm në rajone, por në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Ato konsiderohen vendverimi i bagëtisë, ku barinjtë çojnë kopetë e tyre për të siguruar më shumë ushqim dhe për t’iu shmangur nxehtësisë gjatë muajve të verës.
Përgjatë shtegut, ndërsa i afrohesh fshatrave, nga pylli me dushk mund të shohësh disa stane për bagëtinë, çatia e të cilave është punuar në mënyrë artizanale dhe e mbuluar me bar të thatë, mënyrë kjo shumë e vjetër, e përdorur për të mbuluar vendet ku mbaheshin bagëtitë.
Posta e Kosovës, me pamjen e këtyre pullave postare vlerëson dhe promovon traditën artizanale të staneve e bujtinave të ngritura në bjeshkët e bukura të Kosovës, që po sodisin turistë malorë vendas e të huaj, me ushqime tradicionale e mikpritje karakteristike që ka trashëguar populli ynë i lashtë.