Sot, Filatelia e Postës së Kosovës, lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare “Qytetet e Kosovës-Suhareka”, me pamjet e bukura të këtij qyteti historik të Kosovës.
Theranda (Suhareka) e sotme shtrihet në pjesën verilindore të Prizrenit, përkatësisht në Rrafshin e Dukagjinit, që dikur ishte stacion i rëndësishëm në rrugën e vjetër Shkodër – Kosovë, me funksion të qendrës ekonomike dhe administrative të Podgurit të Prizrenit. Është qendër e bukur, e rëndësishme dhe gjendet në rrugën që lidhë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn dhe Rahovecin.
Sa i përket gjurmimeve arkeologjike, mund të konstatojmë se lokaliteti i Suharekës ishte i banuar që nga parahistoria. Në lokalitetin Hisari dhe Shiroka, si dhe në ngastrën e kësaj qendre janë gjetur materiale interesante të kulturës materiale, që dëshmojnë qartë ekzistimin e fiseve ilire shumë të hershme.
Vendbanimi i Hisarit, përkatësisht gradina parahistorike gjendet në kodrën që ngrihet në pjesën perëndimore të Suharekës, e cila i takon grupit kulturor dardan që u zhvillua gjatë shek. VIII-IV p.e.s., që nga periudha eneolitike.
Posta e Kosovës edhe në të ardhmen do të vazhdojë promovimin e vlerave dhe bukurive që ka shteti i Kosovës, përmes imazheve të pullave postare.