Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, më 12.08.2024, lëshon në qarkullim postar emisionin e pullave postare me titull “Monumentet natyrore – trungjet e vjetra”.
Nga thesari i begatshëm i trashëgimisë natyrore të Kosovës, në tri pulla postare prezantohen tre trungje të rëndësisë së veçantë natyrore dhe kulturore.
Trungjet e gjashtë lisave të Likoshanit dhe trungu i bungëbutës në Aqarevë janë të mbrojtur nga shteti, ndërsa trungu i ahut në Gjyrishec të Kamenicës është i propozuar për mbrojtje ligjore.
Përveç vlerave natyrore, trungjet e gjashtë lisave të Likoshanit kanë edhe rëndësi historike, për arsye se dekada me radhë kanë simbolizuar qëndrueshmërinë dhe rezistencën e popullit të kësaj treve.
Ndërkaq, trungu i bungëbutës në Aqarevë të Skenderajt dhe trungu i ahut në Gjyrishec të Kamenicës, janë monumente natyrore me karakter botanik, që përfaqësojnë llojin e drurit të fortë dhe të qëndrueshëm, me vlera të mëdha ekologjike dhe edukativo-arsimore.
Ky emision i pullave postare është realizuar me përkrahjen e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, ndërkaq në qarkullim postar do të mbetet deri në konsum të plotë.