U.D. Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu me bashkëpunëtorë kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri të premten e kaluar.
Gjatë kësaj vizite, U.D. Kryeshefja Kadiu është takuar me homologun e saj Administratorin e Postës Shqiptare, Ervin Bushati, me të cilin kanë shkëmbyer përvojat dhe kanë diskutuar për sfidat me të cilat po ballafaqohet sot tregu i shërbimeve postare.
Kadiu është shprehur e lumtur për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm shumëvjeçarë që kanë me Postën Shqiptare dhe në këtë kontekst, ajo ka thënë se ky bashkëpunim do të vazhdon të thellohet me shërbime cilësore në interes të qytetarëve tanë.
Delegacioni nga Posta e Kosovës, gjatë kësaj vizite njëditore në Tiranë vizitoi Filialin Transit/Postën Hibride, Galerinë e Pullës, si dhe realizoi takim pune në Zyrat Qendrore me udhëheqësit e Postës Shqiptare.
Në këtë vizitë, U.D. Kryeshefja Fakete Kadiu ka qenë e shoqëruar nga Sekretari i Postës Florent Tahiraj, U.D. Drejtoresha e Operativës, Saranda Ademi, Menaxherja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Argjira Grapci dhe Menaxherja e Departamentit të Marketingut, Naxhije Zejnullahu.