Dy pulla postare për Ferizajn

Prishtinë, 19 janar 2017 - Posta e Kosovës ka emetuar dy pulla postare me imazhe nga qyteti i Ferizajt. Ato veçojnë disa segmente që e karakterizojnë Ferizajn, si: tolerancën fetare përmes pamjes së Xhamisë së Madhe dhe Kishës Ortodokse të vendosur në një hapësirë, hotelerinë, si dhe fenomenin natyror - bifurkacionin e lumit Nerodime.

 

Qyteti Ferizaj gjendet në pjesën jugore të Republikës së Kosovës, në një hapësirë prej 344 kilometra katrorë. Shtrihet në luginën e malit Sharr, në lartësi mbidetare prej 573 metra.

 

Fillimisht ishte një vendbanim i vogël. Në vitin 1873, me funksionalizimin e hekurudhës që në atë kohë lidhte këto troje me Selanikun, fillon zhvillimi i hovshëm i këtij vendi. Emërtimin e sotëm e mori nga pronari i bujtinës së parë të ndërtuar, Feriz Shasivari.

 

Qyteti Ferizaj, me pozitë të volitshme gjeografike dhe infrastrukturë të zhvilluar, paraqet një udhëkryq të rëndësishëm që i lidh jo vetëm qytetet e vendit tonë, por edhe Prishtinën me Shkup.

Ky qytet shquhet për raritetin natyror - bifurkacionin (bigëzimin) e lumit Nerodime. Degëzimi i këtij lumi në dy degë kryesore, me ndihmën e lumenjve të tjerë nga ana e majtë e mundëson derdhjen e ujit në Detin e Zi, ndërsa nga ana e djathtë në Detin Egje.

 

Filatelia e Kosovës, përmes pamjeve të pullave postare dhe produkteve filatelike, vazhdon të promovojë vlerat dhe trashëgiminë e Republikës së Kosovës.

 

Këto pulla postare mund t’i gjeni në zyrat postare të Postës së Kosovës.