Posta e Kosovës nderon Edi Shukriun

Nga sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare dedikuar njërës nga femrat më emblemike të Kosovës, Edi Shukriu.

Edi Shukriu ishte akademike dhe njëra nga arkeologet dhe historianet e para, por edhe emër i njohur dhe i çmuar në lëmin e letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

U lind në Prizren 1950. Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit 1972, ku po ashtu i përfundoi edhe studimet master në vitin 1979. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës 1990.

Në Muzeun e Kosovës ka punuar nga viti 1974 deri në vitin 1979, dhe vazhdoi me angazhimin në Universitetin e Prishtinës, në cilësinë e profesoreshës në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë e lashtë.

Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Nga viti 2014, u emërua anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg.

Më 17 janar 2023 ndërroi jetë në Prishtinë, duke lënë në trashëgimi vepra të shumta nga arkeologjia, historia dhe letërsia.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e trashëgimisë kulturore, u dekorua me çmimin “Dea Dardanica” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), si dhe me çmime të shumta për krijimtari letrare.