Në Ditën Ndërkombëtare të Postës shpërblehen tre punëtorë

Prishtinë, 9 tetor 2017  –
Ndërmarrja Publike Posta Kosovës Sh.A. ka shënuar të hënën Ditën Ndërkombëtare të Postës, përmes aktiviteteve të ndryshme.
 
Dita Ndërkombëtare e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë datë, në vitin 1874 është themeluar Unioni Postar Universal (UPU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, që përbëhet nga 192 shtete anëtare.
 
Në këtë përvjetor, kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha ka ndarë mirënjohje për tre punëtorë të dalluar në punë: Leonora Hasanin,  kontrollore në zyrën postare nr. 23 në regjionin  e Prishtinës, Gëzim Bajraktarin, përgjegjës i zyrës postare nr.8  në Pejë dhe Hetem Mehmetin, kontrollor i zyrës postare në Ferizaj.
 
Kryeshefi i Postës  ka falënderuar ata për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të qytetarëve.
 
“Ka mjaft punëtorë të Postës që meritojnë të shpërblehen për kontributin e tyre por kësaj here ju jeni zgjedhur për shkak të performancës së lartë për ç’gjë edhe ju falënderoj”, ka thënë Hoxha.
 
Posta e Kosovës ende nuk është anëtare e UPU-së, për shkaqe politike, sepse ndër kriteret për anëtarësim është që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Përndryshe, Posta e Kosovës është e gatshme në çdo aspekt të anëtarësohet në këtë organizatë.
Posta e Kosovës kërkon që të bëhet anëtare me të drejta të plota në UPU.