Pulla postare “Heronjtë: Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullaabazi-Mici ”

Prishtinë, 6 nëntor 2018 -
Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me tematikën: “Heronjtë; Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullaabazi-Mici ”, për nder të 20-vjetorit të rënies së tyre heroike.


Në ceremoninë e mbajtur në Komunën e Rahovecit, organizuar nga kryetari Smajl Latifi, mori pjesë kryeshefi ekzekutiv, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësues të familjeve të heronjve, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qytetarë të Rahovecit me rrethinë.

Në fjalimin e tij kryeshefi ekzekutiv, Sejdi Hoxha tha se: “Toni dhe Mici ishin të brumosur me ideal të fuqishëm atdhedashës dhe të inspiruar nga veprimtarët e çështjes kombëtare që kurrë nuk i munguan këtij vendi, siç ishte Ukshin Hoti”. Ai shprehu respektin e tij të lartë ndaj familjarëve të heronjve, duke iu dhuruar pullat postare të punuara në bronz.
Toni dhe Mici, ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me trimërinë dhe shkathtësitë e tyre ushtarake ata motivuan të rinj e të reja që t’u bashkohen radhëve të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë.

Toni dhe Mici me bashkëluftëtarët e tyre ishin forcë e pathyeshme për armikun. Armët e tyre jehuan në beteja të shumta në Kosovë, përshirë Betejën e lavdishme të Rahovecit.
Për veprën e lavdishme të dy luftëtarët e lirisë, Toni dhe Mici janë dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Republikës.


Emrat dhe imazhet e heronjve tanë, do të udhëtojnë në gjithë botën. Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të përkujdeset që përmes pullave postare të nderohet heroizmi i luftëtarëve të lirisë.