Menaxhmenti i Postës së Kosovës, i udhëhequr nga Kryeshefja Ekzekutive, znj. Nora Rraci, së bashku me Bordin e Drejtorëve, të kryesuar nga z. Gëzim Paci, pritën në takim përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NjMNP), si përfaqësues të Aksionarit të Postës së Kosovës.
Gjatë takimit, Kryeshefja Ekzekutive dhe Bordi njoftuan përfaqësuesit e Aksionarit se Auditori i Jashtëm ka dhënë opinion pozitiv për Pasqyrat Financiare të vitit 2024, duke vlerësuar përparimin e Postës në transparencë, përgjegjësi financiare dhe menaxhim të qëndrueshëm – dëshmi e transformimit të ndërmarrjes dhe e menaxhimit të shëndoshë.
Përfaqësuesit e Aksionarit nga Ministria e Ekonomisë dhe NjMNP vlerësuan angazhimin dhe performancën e Postës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për zhvillimin e saj strategjik.
– Zgjerimi i rrjetit postar me 11% gjatë vitit 2024 ka bërë që Posta e Kosovës të arrijë një total prej 152 zyrash postare në gjithë vendin, përfshirë edhe veriun, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve sa më afër qytetarëve.
– Përmes kompensimit për Shërbimin Universal Postar (SHUP) nga Qeveria, Posta ofron shërbime në çdo adresë, pa marrë parasysh kostot, duke përmbushur misionin e saj publik dhe social.
– Investimet në flotën motorike, vetura dhe furgonë ekologjikë kanë bërë shpërndarjen më efikase dhe më miqësore me mjedisin.
– Posta përpunon miliona dërgesa çdo vit, duke lidhur qytetarët e Kosovës me njëri-tjetrin dhe me botën, përmes shërbimeve të sigurta dhe të qëndrueshme.
– Stafi i Postës punon 365 ditë të vitit, përfshirë fundjavat dhe festat, për të garantuar shërbime të pandërprera, sidomos në fushën e pagesave.
– Për herë të parë që nga ndarja me Telekomin, Posta ka shënuar rezultat pozitiv financiar, pas më shumë se një dekade – dëshmi e stabilitetit dhe përkushtimit të menaxhmentit.
– Sot, në çdo zyrë postare ofrohen shërbime të shumëllojshme, nga ato postare tradicionale te pagesat dhe shërbimet financiare jo-bankare, duke e bërë Postën një qendër të rëndësishme shërbimi për qytetarët.
– Posta e Kosovës mbështet vazhdimisht kauza sociale, nisma për mirëqenie, edukim dhe solidaritet, duke dëshmuar rolin e saj aktiv si një ndërmarrje që kontribuon në zhvillimin e komunitetit dhe në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndjeshme.
Menaxhmenti dhe stafi i Postës mbeten të përkushtuar ta çojnë përpara zhvillimin strategjik, inovativ dhe digjital, duke forcuar rolin e Postës së Kosovës si operator modern, i qëndrueshëm dhe afër çdo qytetari të vendit.