Sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim emisionin e ri të pullave postare të titulluar: “Nga trashëgimia – hedhja e gurit, luajtja me shkop etj”.
Përmes imazhit të këtyre dy pullave postare, Filatelia e Kosovës, prezanton hedhjen e gurit, njërën nga lojërat shumë të popullarizuara në trojet e Kosovës, me të cilat promovon nëpër botë trashëgiminë kulturore të Republikës së Kosovës.
Ruajtja e trashëgimisë kulturore vlerësohet si çështje që mbron identitetin e një populli dhe ofron mundësinë që këto vlera të barten edhe tek gjeneratat e reja. Për ta kuptuar të sotmen, është e domosdoshme të njihet e kaluara e një populli.
Lojërat tona tradicionale zhvilloheshin kryesisht nëpër tubimeve dhe ahengje familjare. Të rinjtë gjatë kryerjes së punëve, gjatë pushimeve të shkurtra, kanë luajtur lojëra të ndryshme. Në të gjitha lojërat tradicionale janë evidente elementet e folklorit dhe traditës.
Për ta luajtur këtë lojë, lojtarët është dashur të jenë në moshë të rritur, të fuqishëm dhe të kenë kurajë, mbase vlerësohej fuqia, zotësia, si dhe teknika e një lojtari, vlera këto shumë të çmuara në të kaluarën tonë.