Sot patëm nderin dhe kënaqësinë e veçantë ta mirëpresim në Postën e Kosovës, Administratorin e ri të Postës Shqiptare, z. Ervin Bushati me Drejtorin e Kabinetit të tij, z. Dritan Çaka, të shoqëruar edhe me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, shkëlqesinë e tij z. Qemal Minxhozi.
Drejtuesit e Postës nga Shqipëria i mirëpritën Kryesuesja e BPD-ve, znj. Safije Beseni dhe U.D. Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, znj. Fakete Kadiu me bashkëpunëtorët e tyre.
U.D. Kryeshefja Kadiu i uroi përzemërsisht zgjedhjen e z. Bushati në krye të Postës Shqiptare, ndërsa i shprehi mirënjohje të thellë Postës Shqiptare për bashkëpunimin e gjerë tanishëm, ndërsa Administratori Bushati shprehi falënderime duke u ndjerë sikur në shtëpinë e tij, megjithëse kjo ishte vizita e parë zyrtare jashtë shtetit Shqiptar që nga marrja e detyrës së re. Po ashtu edhe Ambasadori Minxhozi u ndje i lumtur me këtë bashkëpunim të ndërsjellë, ndërsa premtoi mbështetje të vazhdueshme.
Në këtë takim zyrtar në një atmosferë shumë të ngrohtë vëllazërore, udhëheqësit e dy administratave postare të shteteve tona të Kosovës dhe Shqipërisë, diskutuan hapur çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e bashkëpunimit disavjeçar në mes të tyre.
Po ashtu, të dy palët u zotuan ta thellojnë bashkëpunimin e mëtejshëm të dy postave, që të mbështesin njëra-tjetrën në zhvillimin e projekteve të përbashkëta për t’u bërë lidere të Rajonit, me qëllim për të sjell shërbime sa më cilësore në interesin e qytetarëve të shteteve tona.
Posta e Kosovës ka bashkëpunim shumë të ngushtë me Postën Shqiptare për dekada me radhë, këto raporte e kanë ndihmuar dukshëm ndërmarrjen tonë, sidomos në këtë periudhë që ende Posta e Kosovës nuk është e anëtarësuar në UPU për shkaqe politike.