Filatelia e Postës së Kosovës, përmes motiveve të pesë pullave postare, të cilat nga sot vihen në qarkullim postar, prezanton veprat e përzgjedhura të artistit, piktorit dhe grafistit të njohur të artit bashkëkohor, Ymer Shaqiri.
Ymer Shaqiri u lind më 1 tetor 1955, në Sveçlë, në jug të Podujevës. Akademinë e Arteve e kreu në Prishtinë në vitin 1981, nën drejtimin e Fatmir Krypës, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve në Beograd më 1984, ku edhe mori titullin akademik.
Origjinaliteti në shprehjen e veçantë që karakterizon grafikën e autorit për nga stili dhe teknika paraqet një kulturë të lashtë. Detajet e kompozuara me kujdes dhe mjeshtëria në objektet e preferuara të artistit si porta, dyer, dritare me gozhda të ndryshkura, janë mesazhe të fuqishme që interpretojnë lashtësinë, vuajtjet dhe realitetin e vendit tonë.
Ka jetuar dhe punuar në Gjermani dhe Kosovë. Ai u nda nga jeta më 11 gusht 2021, duke lënë pas një punë kolosale si punëtor i palodhur që ishte.
Punimet e tij mund të gjenden në shumë koleksione, galeri dhe muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në bienale dhe trienale në Slloveni, Japoni, SHBA, Francë dhe vende të ndryshme, dhe nga sot, përmes shërbimit postar të Postës së Kosovës, punimet e tij do të ekspozohen në mbarë botën duke na bërë jashtëzakonisht krenarë.