Posta e Kosovës, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të NATO-s për vendosjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, përmes Filatelisë së saj nga sot emeton emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare që shënon 25-vjetorin e NATO-s në Kosovë.
Që nga prezenca e tij, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka kontribuar për mbrojtje dhe siguri në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve, që theksohet edhe në moton “Së bashku më të fortë për paqen”, si pjesë e emërtimit të emisionit të pullës postare.
Emisioni përbëhet prej një pulle postare me vlerë nominale €2.10, e cila në sfond të motivit ka ngjyrën e kaltër karakteristike të NATO-s, ndërkaq në pjesën qendrore të dizajnit është harta e Kosovës, në të cilën janë vendosur 23 flamuj të vendeve pjesëmarrëse të misionit në Kosovë, si dhe të 5 vendeve kontribuese jo anëtare të NATO-s.
Pjesë e këtij emisioni të pullave postare do të jetë edhe Zarfi i Ditës së Parë, i cili do të jetë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.