Sot tre zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, Kryesuesi i Bordit të Përkohshëm, Mentor Arifaj, U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, Salih Morina dhe Drejtori i Operativës, Faton Thaqi u mirëpritën nga menaxhmentet e regjioneve gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, Mitrovicë dhe Ferizaj.
Këto vizita me karakter pune u realizuan pas zgjedhjes në detyra zyrtare të tyre muajin e kaluar, me qëllim të njohjes reciproke me stafet menaxheriale të regjioneve, punën e zyrave postare, si dhe për t’i falënderuar gjithë punonjësit e tyre që edhe në këtë kohë pandemie po iu shërbejnë me përkushtim çdo ditë qytetarëve anekënd Republikës së Kosovës.
Kryesuesi, Kryeshefi dhe Drejtori u njohën me zbatimin në praktikë të disa prej projekteve kryesore që i zhvillon tani e sa vite Posta e Kosovës me partnerët e saj, siç ishte shpërndarja e skemave sociale, shërbimi universal postar, shërbimi i kryerjes së pagesave nga qytetarët, shitjen e produkteve të Vales, etj.
Menaxherët e këtyre regjioneve ofruan informata e raporte edhe me shkrim për funksionimin e ndërmarrjes nën menaxhimin e tyre, sfidat që po ballafaqohen në vazhdimësi, gjendjen financiare, qarkullimin dhe zbatimin e orareve zyrtare të caktuara nga Menaxhmenti i ndërmarrjes, si dhe të gjitha veprimet e ndërmarra sipas vendimeve qeveritare si masa parandaluese të virusit COVID-19 në të gjitha zyrat postare.
Zyrtarët e Lartë të Postës së Kosovës ishin shumë të hapur në këto takime, ata kërkuan nga menaxherët regjionalë që të listojnë kërkesat prioritare dhe idetë e manaxhmenteve respektive që t’i sjellin ato tek Bordi i Përkohshëm dhe tek Menaxhmenti i ndërmarrjes. Ata u zotuan se me seriozitetin më të lartë do t’i zgjidhin bashkërisht, përkatësisht do t’i adresojnë për zgjidhje në instancat qeveritare dhe të agjencioneve të ndryshme vendore e ndërkombëtare.