Njoftojmë opinionin se punonjësja e NP “Posta e Kosovës”, znj. Kimete Kodra, nuk është larguar nga puna.

Gjatë muajit janar 2022, në kuadër të disa kontrolleve në zyrat postare në Skenderaj e më gjerë në Regjionin e Mitrovicës, janë hasur një sërë parregullsi, pesha monetare e të cilave kapte shumën prej mëse 15 mijë EURO. Këto parregullsi janë trajtuar nga instancat përkatëse të ndërmarrjes, kurse zyrtarët përgjegjës janë trajtuar nga komisioni disiplinor.

Në këtë kuadër komisioni disiplinor është duke trajtuar gjashtë (6)raste të punonjësve të zyrave postare në Skenderaj dhe të zyrës regjionale në Mitrovicë: arkëtarë, kontrollorë, zyrtar  financiar e menaxherë komunal e regjional, ndër ta edhe znj. Kodra, përgjegjëse komunale për Skenderaj.

Më 24.02.2022, para mëse dy muajsh, bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Postar, znj. Kodra, i është shqiptuar masa “largim i përkohshëm” (suspendim), me 50% page, deri në përmbyllje të procedurës disiplinore. Sikurse edhe menaxherit regjional për Mitrovicë dhe disa zyrtarëve tjerë që kanë rezultuar përgjegjës.

Këto masa janë shqiptuar konform dispozitave të nenit 73, pika 1.3 të Ligjit të Punës (03/L-212), nenit 23 të Rregullores (së brendshme) për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës ( 01-2710/21), si dhe nenit 8, pika 1.3, pika 2 dhe 3 të Rregullores (së brendshme) për Përgjegjësi Disiplinore dhe Materiale (01-2605/21) të NP “Posta e Kosovës” Sh. A.

Rasti është duke u trajtuar konform procedurave të përcaktuara me Rregulloren mbi Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale, nga organet kompetente, gjithnjë bazuar në raporte e prova.

Inspektimet e kontrollet janë pjesë e rregullt e punës së instancave përkatëse në NQP “Posta e Kosovës”. Fjala bie, disa kontrolle të ushtruara në regjionet Pejë e Prizren, kanë rezultuar me masa përkatëse për punonjësit përgjegjës në këto regjione.

Punonjësit e ndërmarrjeve publike, janë të obliguar të respektojnë rregulloret e punës dhe dispozitat në fuqi!

Zyrtarët e ndërmarrjeve publike duhet ta zbatojnë kodin e detyrueshëm të etikës dhe qeverisjes korporative, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrje Publike dhe të tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike, Bordi është organ mbikëqyrës i menaxhmentit në një ndërmarrje publike. Menaxhmenti i ushtron kompetencat konform ligjit dhe rregulloreve të brendshme, nën mbikëqyrjen e Bordit. Edhe Bordi edhe menaxhmenti kanë detyrë fiduciare ruajtjen e interesit të ndërmarrjes dhe zhvillimin e saj, mirëqenien e punonjësve, ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe publikun e gjerë.