Në kuadër të tematikës arti pamor, Filatelia e Postës së Kosovës lëshon sot në qarkullim tri pulla postare me pamje të veprave të artistit tonë Simon Shiroka.
Krijimtaria e tij artistike zë një vend të merituar jo vetëm në artin pamor shqiptar por edhe në artin ndërkombëtar.
Motivet e krijimeve të tij burojnë nga trashëgimia kombëtare. Rozeta, skulptura, arti bashkëkohor, piktura, maska dhe grafika, janë kategoritë në të cilat ndahet arti i Simon Shirokës. Kritikët i vlerësojnë si art mahnitës veprat e filigranistit prizrenas të punuara me argjend, ari, bakër dhe materiale të tjera. Punimet e tij u përdorën edhe për zbukurim të veshjeve tradicionale shqiptare.
Valltari, gruaja e vetmuar, fyelli i okarinës, maska, figura abstrakte e skica me ngjyra dhe bardhezi zënë vend në veprat e tij të shumta, që vazhdojnë të ruhen me dashuri e kujdes të veçantë nga familja e tij.
U lind më 1927 në Prizren, ndërkaq ndërroi jetë në vitin 1994, në Prishtinë. Pamjet për pullat postare janë siguruar nga familja Shiroka, të cilën Posta e Kosovës e falënderon përzemërsisht.
Veprat e artistit tonë janë prezantuar në ekspozita të ndryshme kolektive dhe individuale, e nga sot, përmes shërbimit postar, do të ekspozohen gjithandej në botë. Kjo na bën jashtëzakonisht krenar.