fbpx

Shefqet Avdija zgjedhet kryeshef i Postës së Kosovës

Në mbledhjen e mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes publike Posta e Kosovës Sh.A. ka vendosur unanimisht që në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të zgjedhet z. Shefqet Avdija.

Pas një procesi të rregullt, transparent dhe objektiv, në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike si dhe me kriteret e konkursit, kandidati më i suksesshëm në garën për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv është z. Shefqet Avdija, i cili ka marrë pikët maksimale, në të gjitha fazat e intervistimit.

Z. Avdija ka përgatitje të lartë akademike. Është Doktor Shkence në fushën e Qeverisjes dhe Administrimit Publik, ndërkaq në fushën e Menaxhimit të Sektorit Publik ka gradën Master.

Për rreth shtatë vite ka qenë në pozitën e Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv në Postën e Kosovës. Në këtë pozitë ai ka shënuar të arritura të mëdha në udhëheqjen dhe menaxhimin e projekteve më sfiduese dhe më të ndjeshme në këtë ndërmarrje publike. Në Postën e Kosovës, ai ka mbajtur edhe pozitën e UD Kryeshef Ekzekutiv.