Takohet Menaxhmenti i Postës së Kosovës me Bordin e Ri

Kryeshefi Ekzekutiv, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë mirëpriti sot në takim zyrtar drejtorët e zgjedhur të Bordit të Ri të Postës së Kosovës.

Në këtë takim, Kryeshefi Hoxha i uroi rizgjedhjen e Kryetarit të Bordit, Halit Isufi edhe për një mandat të radhës, drejtorët e tjerë e posaçërisht atyre që për herë të parë janë zgjedhur në këtë përgjegjësi të re.

Gjatë këtij takimi, Kryeshefi Hoxha para drejtorëve të Bordit prezantoi gjendjen e përgjithshme të Ndërmarrjes në periudhën 2013-2018, me qëllim të njohjes së drejtorëve me sukseset e arritura, si dhe me sfidat nëpër të cilat ka kaluar Posta e Kosovës.

Në emër të tij personal dhe të Menaxhmentit të Ndërmarrjes, Kryeshefi Hoxha falënderoi për bashkëpunimin e gjertanishëm me Bordin e kaluar dhe shprehi zotimin e tij në bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe korrekt me Bordin e Ri, me qëllim për realizimin e Planit të Biznesit të Ndërmarrjes.

Kryetari i Bordit, Halit Isufi gjithashtu falënderoi për bashkëpunimin me Menaxhmentin e Kompanisë, si dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe të Bordit se edhe në të ardhmen do të vazhdohet në frymën bashkëpunuese në interes të funksionimit të qëndrueshëm të Ndërmarrjes dhe rritjes së biznesit të saj.