Kryeshefi Ekzekutiv Shefqet Avdija ka vizituar sot dy zyra postare në Prishtinë për t’i falënderuar punonjësit për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në shpërndarjen e asistencave sociale dhe ofrimin e shërbimeve të tjera.
“Përmes juve i përgëzoj të gjithë kolegët tuaj sportelistë, anekënd Kosovës, dhe secilin që ka qenë i përfshirë në shpërndarjen masive të asistencave sociale. Shpërndarja e mbi 70 për qind të asistencave sociale, brenda një dite, brenda disa orësh, në kushte e rrethana emergjente, është dëshmia më e mirë për kapacitetet, potencialin dhe përgjegjësinë që ka Posta e Kosovës”, ka theksuar kryeshefi Avdija.
Ai potencoi se suksesi i treguar në këtë operacion të madh, që ende është duke vazhduar, na ka bërë të gjithëve krenar.
I shoqëruar nga Zyrtari Kryesor Financiar, Behxhet Maliqi dhe menaxheri Bekim Greiçevci, Kryeshefi Shefqet Avdija ka takuar konsumatorë të cilët janë shprehur të kënaqur me pritjen dhe shërbimet që iu ofrohen në zyrat postare në kryeqytet.
Kryeshefi Ekzekutiv Shefqet Avdija ka takuar edhe punonjësit e sektorit të shpërndarjes së dërgesave postare, kartuesë, postierë dhe zyrtarë të tjerë, të cilët po ashtu i ka falënderuar që për asnjë moment nuk janë ndalur në përmbushjen e të gjitha obligimeve që kanë në shërbimin postar për qytetarët e Prishtinës.
Ai iu ka ofruar përkrahje për çdo kërkesë apo nevojë që mund të kenë punonjësit, sidomos në fazën emergjente në të cilën ndodhemi.