Posta e Kosovës, ka lëshuar në qarkullim postar, emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare të titulluar, ”Kujdes – COVID -19”. Ky emision i pullave postare ka për qëllim përkrahjen e fushatës së institucioneve për rëndësinë e masave mbrojtëse të përcaktuara nga IKSHPK-ja, për mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e pandemisë globale COVID -19.
Pas dorëzimit të ekzemplarëve të parë të pullave postare tek Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, U.D. Zëvendës Kryeshefja Ekzekutive, Fakete Kadiu me bashkëpunëtorë të saj kanë vazhduar aktivitetin e shpërndarjes së pullave postare tek Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa në ditët në vijim do t’ju dorëzohen edhe institucioneve relevante.
Kosova si e tërë bota po ballafaqohet me një realitet të ri, të krijuar me paraqitje të COVID -19, coronavirusit SARS-CoV-2, ku ndryshimet ekonomike dhe sociale do të jenë të paevitueshme.
Pamjet e tre pullave postare në imazhe bartin tre porosi të aktualitetit jetësor: përpjekjet e Kosovës për mbrojtje nga përhapja e pandemisë me mbajtjen e maskës, distancën fizike dhe higjienën personale, duke u kujdesur për shëndetin personal dhe kolektiv, deri në zhdukjen e virusit, duke i kultivuar raportet e mirëfillta dhe dashurinë e njerëzimit nga distanca.
Filatelia e Postës së Kosovës, edhe në të ardhmen do të vazhdojë me përkrahjen e të gjitha iniciativave, për të mirën e qytetarëve dhe vendit tonë.