fbpx

Zhbllokohen xhirollogaritë e Postës së Kosovës nga ATK-ja

Sot zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, Kryesuesi i Bordit të Përkohshëm, Mentor Arifaj, U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, Salih Morina me U.D. Zyrtari Kryesor Financiar dhe i Thesarit, Enver Govori, takuan Ministren e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Në këtë takim të përbashkët, ata biseduan format për gjetjen e mundësisë reale të kryerjes së obligimeve financiare të Postës së Kosovës ndaj ATK-së, përmes një riprogramimi të borxhit, që do të nënkuptonte edhe zhbllokimin e menjëhershëm të xhirollogarive bankare.

Gjithashtu, dy zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, së bashku me përfaqësuesin e Sindikatës së Punonjësve, Bujar Shala u takuan edhe me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, me të cilin bashkëbiseduan rreth funksionimit të ndërmarrjes, për problemet dhe sfidat e ballafaqimit të saj gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte që të kërkohet përkrahje nga Qeverisa e Kosovës si aksionar i Postës së Kosovës, e cila përgjatë kësaj kohe ka probleme të mëdha financiare, me rënien e të hyrave për shkak të pandemisë, rritja e borxhit ndaj ATK-së, e cila pati bllokuar dje llogaritë bankare Postës së Kosovës.

Ata shfaqën brengat e tyre, që Posta e Kosovës po humbë financiarisht nga Shërbimi Universal Postar që po e kryen rregullisht si detyrim ligjor që ka, ndërsa nuk po rimbursohet nga Qeveria e Kosovës. Për këtë deponuan edhe kërkesën me shkrim për kthim të borxhit të Qeverisë në vlerë rreth  5 milion euro, për të garantuar operacionalitetin dhe funksionalitetin e ndërmarrjes.

Këto takime ishin mjaft miqësore që rezultuan me konfirmimin sot pasdite të zhbllokimit të xhirollogarive bankare të Postës së Kosovës, ndërsa mbetet të shpresojmë edhe në realizimin e premtimeve të dy ministrave në përkrahjen e Postës së Kosovës në tejkalimin e sfidave të përbashkëta.