Ndërmarrja Publike Posta e Kosovës mbetet lider në tregun e përgjithshëm postar vendor, konstatohet në raportin e publikuar nga Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Përkundër konkurrencës nga operatorë privatë me renome ndërkombëtare dhe operatorë të tjerë vendor, edhe gjatë vitit 2017 numri më i madh i dërgesave postare, brenda dhe jashtë territorit të vendit tonë, është proceduar përmes shërbimit postar të ndërmarrjes publike Posta e Kosovës.
Në bazë të matjeve dhe analizave të ARKEP-it, Posta e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka mbuluar 86.90 për qind të tregut postar, ndërkaq 14 operatorët e tjerë postar kanë arritur të mbulojnë 13.10 për qind.
Përqindja e mbulimit të tregut nga ana e Postës së Kosovës do të ishte edhe më e madhe, mirëpo gjatë vitit të kaluar ndërmarrja jonë nuk ka vazhduar kontratën për shpërndarjen e miliona fletushka marketingu të marketeve për arsye të kostos shumë të ultë të kontratës dhe mbingarkesës së postierëve. Heqja dorë nga kjo kontrate e pafavorshme për Postën ka pasur ndikim minimal në të hyrat financiare në shërbimin tonë postar.
Përpjekjet për interpretime të tjera të të dhënave të raportit të ARKEP-it nuk janë në funksion të informimit të drejtë të publikut dhe nuk është profesionale.
Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha ka falënderuar qytetarët, që sa u përket shërbimeve postare, vazhdojnë të kenë besimin më të madh në Postën e Kosovës.