Sot, Filatelia e Postës së Kosovës, lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare “Vaksinohu, shpëto jetë!”.
Me këtë rast, Posta e Kosovës duke iu falënderuar Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, promovoi me ceremoni këto pulla postare, në të cilën përveç zyrtarëve të lartë nga Posta e Kosovës, ishte i pranishëm Zv. Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, z. Arsim Berisha, mysafir të tjerë, si dhe dy zonja të nderuara që personifikonin imazhet e këtyre pullave postare, një grua shtatëzënë dhe një nënë gjidhënëse.
U.D. Kryeshefja Ekzekutive, znj. Fakete Kadiu, përshëndeti gjithë të pranishmit dhe falënderoi përfaqësuesit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë për kontributin e tyre për dizajnimin dhe promovim e këtyre pullave postare, si dhe ministrinë e linjës dhe atë të Shëndetësisë. Ajo plasoi mesazhin që bartin këto pulla postare në përkrahjen e vaksinimit në parandalimin e Covid-19, për ruajtjen e shëndetit publik dhe jetën e fëmijëve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve, ndërsa potencoi edhe rëndësinë e këtyre pullave postare në afirmimin e shtetit të Kosovës në mbarë botën.
Në fjalët përshëndetëse në këtë promovim, Zv. Ministri Berisha dhe Zëvendës Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Larisa Bruun, vlerësuan lartë kontributin e Postës së Kosovës për emetimin e këtyre pullave postare për sensibilizimin e qytetarëve për vaksinimin e tyre për mbrojtjen dhe ruajtjen e shëndetit publik, si dhe parandalimin e përhapjes së valëve të reja pandemike që rrezikojnë të ardhmen tonë.
Vaksinat COVID-19 ofrojnë shpresë për t’i dhënë fund pandemisë dhe për t’u kthyer përsëri në bërjen e shumë gjërave që ne gëzojmë me njerëzit që duam. Prandaj, duhet të kujtojmë se masat mbrojtëse të tilla si distanca fizike, maska dhe higjiena e duarve duhet të praktikohen edhe pas vaksinimit. Të vaksinohemi sot që të jemi së bashku nesër.
Pamjet e katër pullave postare në imazhe janë: gratë shtatzëna, nënat gjidhënëse, mësimdhënësit dhe të rinjtë.
Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të vazhdojë me përkrahjen e të gjitha iniciativave për të mirën e qytetarëve dhe vendit tonë.