A është njësoj si gripi? Pyetje dhe përgjigje: Ngjashmëritë dhe ndryshimet – COVID-19 dhe gripi

Ndërsa shpërthimi i COVID-19 vazhdon të evoluojë, krahasimet janë bërë me gripin. Të dy shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes, megjithatë ka dallime të rëndësishme midis dy viruseve dhe mënyrës së përhapjes së tyre. Kjo ka implikime të rëndësishme për masat e shëndetit publik që mund të zbatohen për t’iu përgjigjur secilit virus.

Si janë të ngjashëm viruset COVID-19 dhe gripi?

Së pari, viruset COVID-19 dhe viruset e gripit kanë një paraqitje të ngjashme të sëmundjes. Do të thotë, ata që të dy shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes, e cila paraqet një gamë të gjerë sëmundjesh nga asimptomatike ose të lehta deri tek sëmundje të rënda dhe vdekje.

Së dyti, të dy viruset transmetohen nga kontakti, piklat/spërkatjet dhe fomitetet (objekte ose materiale që ka të ngjarë të mbajnë infeksion, të tilla si rroba, pajisje dhe mobilje) . Si rezultat, të njëjtat masa të shëndetit publik, të tilla si higjiena e duarve dhe etikat/rregullat e mirësjelljes të mira frymëmarrëse (kollitja në bërryl ose në një faculetë dhe hedhja e menjëhershme e faculetës së prëdorur), janë veprime të rëndësishme që mund të ndërmarrin të gjithë për të parandaluar infeksionin.

Si janë të ndryshme viruset e COVID-19 dhe gripit?

Shpejtësia e transmetimit është një pikë e rëndësishme e ndryshimit midis dy viruseve. Gripi ka një periudhë mesatare më të shkurtër të inkubacionit (koha nga infeksioni deri në shfaqjen e simptomave) dhe një interval serik më të shkurtër (koha midis rasteve të njëpasnjëshme) sesa virusi COVID-19. Intervali serik për virusin COVID-19 vlerësohet të jetë 5-6 ditë, ndërsa për virusin e gripit, intervali serik është 3 ditë. Kjo do të thotë që gripi mund të përhapet më shpejt sesa COVID-19.

Më tej, transmetimi në 3-5 ditët e para të sëmundjes, ose potencialisht transmetimi para-simptomatik – transmetimi i virusit para shfaqjes së simptomave – është një shtytës kryesor i transmetimit për gripin. Në të kundërtën, ndërsa ne jemi duke mësuar se ka njerëz që mund

të shpërndajnë virusin COVID-19 nga 24-48 orë para fillimit të simptomave, për momentin, kjo nuk duket se është një nxitës kryesor i transmetimit.

Numri riprodhues – numri i infeksioneve sekondare të krijuara nga një individ i infektuar – kuptohet të jetë midis 2 dhe 2.5 për virusin COVID-19, më i lartë se sa për gripin. Sidoqoftë, vlerësimet për të dy viruset COVID-19 dhe ato të viruseve të gripit janë shumë kontekstuale dhe specifike për kohën, duke i bërë krahasimet direkte më të vështira.

Fëmijët janë nxitës të rëndësishëm të transmetimit të virusit të gripit në komunitet. Për virusin COVID-19, të dhënat fillestare tregojnë se fëmijët janë më pak të prekur se të rriturit dhe se shkalla e sulmit klinik në grup moshën 0-19 është e ulët. Të dhëna të mëtejshme paraprake nga studimet e transmetimit shtëpiak në Kinë sugjerojnë se fëmijët janë të infektuar nga të rriturit, në vend se anasjelltas.

Ndërsa vargu i simptomave për dy viruset është i ngjashëm, fraksioni me sëmundje të rëndë duket të jetë i ndryshëm. Për COVID-19, të dhënat deri më tani sugjerojnë se 80% e infeksioneve janë të lehta ose asimptomatikë, 15% janë infeksione të rënda, që kërkojnë oksigjen dhe 5% janë infeksione kritike, që kërkojnë makinë ventilimi të frymëmarrjes. Këto fraksione të infeksionit të rëndë dhe kritik do të ishin më të larta se sa vërehet për infeksionin e gripit.

Ata që janë më të rrezikuar nga infeksioni i rëndë i gripit janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, ata me gjendje mjekësore kronike dhe ata që janë me imunitet të komprometuar. Për COVID-19, ajo çfarë kemi kuptuar ne aktualisht është se mosha e vjetër dhe gjendjet kronike rrisin rrezikun për infeksion të rëndë.

Vdekshmëria për COVID-19 shfaqet më e lartë sesa për gripin, veçanërisht me gripin sezonal. Ndërsa vdekshmëria e vërtetë e COVID-19 do të marrë ca kohë për ta kuptuar plotësisht, të dhënat që kemi deri tani tregojnë se raporti i papërpunuar i vdekshmërisë (numri i vdekjeve të raportuara pjesëtuar me rastet e raportuara) është midis 3-4%, shkalla e vdekshmërisë nga infeksioni (numri i vdekjeve të raportuara pjesëtuar me numrin e infeksioneve) do të jetë më i ulët. Për gripin sezonal, vdekshmëria është zakonisht nën 0,1%. Sidoqoftë, vdekshmëria përcaktohet në një masë të madhe nga qasja dhe cilësia e kujdesit shëndetësor.

Cilat ndërhyrje mjekësore janë në dispozicion për viruset e COVID-19 dhe gripit?

Ndërsa ekzistojnë një numër terapish aktualisht në prova klinike në Kinë dhe më shumë se 20 vaksina në zhvillim për COVID-19, aktualisht nuk ka vaksina ose terapi të licencuara për COVID-19. Në krahasim me antiviralët dhe vaksinat e disponueshme për grip. Ndërsa vaksina e gripit nuk është e efektshme kundër virusit COVID-19, rekomandohet shumë që të vaksinoheni çdo vit për të parandaluar infeksionin nga gripi.

Mars 18, 2020 OBSH