Posta dhe Agjencia Kadastrale nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

Posta e Kosovës dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi që ka për qëllim shpërndarjen individuale/personale të  dërgesave/informacionit  tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me qëllim të informimit rreth adresave në vendbanimet ku jetojnë.

Kjo marrëveshje rregullon edhe përgjegjësitë e institucioneve në fjalë karshi përdorimit të adresave, si dhe njeh dhe fuqizon rolin e Postës së Kosovës rreth informimit të të dhënave të adresave zyrtare për qytetarët, bizneset, institucionet dhe organizatat e ndryshme.

Memorandumi është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Shefqet Avdija dhe Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Avni Ahmeti, në prani të zyrtarëve nga dyja institucionet.

Palët u dakorduan që AKK të iniciojë formimin e Grupit Punues të përbashkët me zyrtar të Postës së Kosovës, krejt me qëllim të ngritjes së kualitetit të shërbimeve ofruar qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Agjencia Kadastrale e Kosovës është autoriteti qendror për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, për hartografi dhe GIS, për sistemin e unifikuar të adresave, për infrastrukturën kombëtare të të dhënave hapësinore dhe për administrimin e Infrastrukturës së Teknologjisë së Informacioneve.