Posta nderon Universitetin e Prishtinës në 50 vjetorin e themelimit

Prishtinë, 11 shkurt 2020

Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim pullën postare që i kushtohet 50-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, institucionit  më të rëndësishëm arsimor, shkencor dhe kulturor në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, në Rektoratin e Universitetit është promovuar pulla postare me imazhe me të cilat identifikohet universiteti i parë në gjuhën shqipe në Kosovë.

Rektori Marjan Dema ka falënderuar Postën e Kosovës, duke vlerësuar pullën postare si një shpërblim për punën e madhe të Universitetit të Prishtinë, në fushën e dijës dhe për çështjen kombëtare. “Posta ka nderuar një tempull i cili për 50 vite ka dhënë dritë, ka dhënë profesionistë, ka dhënë kontribut në të gjitha fushat”, ka theksuar rektori Dema.

Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv Shefqet Avdija ka deklaruar se të gjithë jemi krenar me Universitetin e Prishtinës, tempullit të dijës dhe qëndresës së popullit të Kosovës. “Universiteti i Prishtinës veprimtarinë e tij e ka zhvilluar në dy fronte të jashtëzakonshme, atë të luftës për dituri dhe të luftës për liri. Këtë fuqi ia kishte dhënë edhe organizimi studentor, që përbënte boshtin kurrizor të UP-së, i cili ishte shndërruar në promotor të lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës”, ka thënë kryeshefi Avdija.

Në shenjë respekti, kryeshefi Avdija i ka dhuruar rektorit Dema pullën postare të punuar në pllakë bronzi, si dhe pullat e para të cilat stafi i Universitetit mund t’i përdor për të postuar dërgesa në tërë botën.

Përmes emetimit të rregullt dhe të jashtëzakonshëm të pullave postare, Posta e Kosovës promovon vlerat historike, kombëtare,  kulturore, shkencore dhe artistike të Republikës së Kosovës.